Lidhje

Referendumi britanik për daljen nga BE


Bashkimi Evropian është përballur rishtazi me sfida të shumta, që nga valët e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, dhe deri tek kriza e borxhit grek. Një tjetër sfidë po shfaqet në horizont në formën e një referendumi të propozuar në Britani për largimin nga BE-ja.

Premtimi për mbajtjen e një referendumi për BE-në, ishte pjesë thelbësore e fushatës elektorale të Kryeministrit britanik David Cameron, të cilit i duhet ta përmbushë këtë premtim deri në vitin 2017. Në një intervistë, Presidenti amerikan Barack Obama u shpreh qartë.

“Nëse Mbretëria e Bashkuar qëndron në BE, ne do të ruanim një nivel më të lartë besimi tek uniteti transatlantik.”

Nigel Farage, udhëheqës i partisë së djathtë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP), thotë se është lodhur së dëgjuari Presidentin Obama të thotë se Britania duhet të qëndrojë në BE, dhe Greqia në Eurozonë. Gjatë një vizite në Uashington, zoti Farage bisedoi me Zërin e Amerikës.

“Mesazhi im për Amerikën është ky: Nëse Britania ndjek këshillën e Departamentit të Shtetit dhe voton në referendum ‘pro’ qëndrimit në BE, atëherë ne do të ndërthuremi edhe më shumë me politikën e jashtme evropiane, dhe do të zhduket aftësia jonë për të qenë aleati juaj më i mirë. Nëse votojmë ‘jo’, atëherë do të jemi në formë, të aftë dhe në gjendje për të qenë miqtë tuaj.”

Por, ekspertët e çështjeve evropiane thonë se mendimi mbizotërues në Uashington është se Britania është një partnere më efektive e Shteteve të Bashkuara nëse qëndron në BE.

“Për mua, Britania ka më shumë influencë nëse ndihmon të drejtojë politikat nga brenda BE-së. Ajo ka qenë një aktore kryesore në përcaktimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Fatkeqësisht, e ka ulur këtë ndikim gjatë qeverisjes së zotit Cameron. Mendoj se është shumë më mirë për Britaninë të qëndrojë në BE, dhe ta udhëheqë atë.”

E megjithatë, po shtohen të ashtuquajturit “euro-skeptikë” në Britani. Partia UKIP e zotit Farage fitoi pothuajse 4 milionë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kolegu i tij, Roger Helmer, një anëtar i parlamentit evropian, thotë se kriza ekonomike greke ka treguar se ky bashkim ekonomish dhe kulturash të ndryshme thjesht nuk funksionon.

“Po e shikojmë Greqinë të shndërruar në një vend të botës së tretë. Disa fajësojnë grekët, disa gjermanët. Fajin duhet ta mbajnë ata që futën monedhën e përbashkët.”

Adriano Bosoni, një analist për Evropën në firmën e analizave gjeopolitike, Stratfor, thotë se Londra ka një interes strategjik që të vazhdojë të jetë e përfshirë në çështjet e kontinentit evropian.

“Pavarësisht se si njerëzit do të votojnë në referendum, ekziston një interes thelbësor për të vazhduar lidhjen me BE-në. Mund të ruhet nëpërmjet anëtarësimit të plotë, ose një lloj marrëveshjeje që do t’i lejojë Britanisë të qëndrojë në zonën e tregtisë së lirë.”

Zoti Cameron ka premtuar mbajtjen e një referendumi “po ose jo” deri në vitin 2017, dhe mund të organizohet që në tetorin e vitit të ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG