Lidhje

Prenga dhe Ndoka, flet ambasada amerikane


Përfaqësia diplomatike shprehet se mirëpret dorëheqjen e deputetit të PS, Ndoka dhe lejen e parlamentit për arrestimin e deputetit tjetër Prenga. “Përparim i mirëfilltë për një sistem politik me drejtues të standardeve më të larta etike”

Në Shqipëri ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi sot në mbrëmje se "mirëpret vendimin e deputetit Arben Ndoka për t’u dorëhequr nga parlamenti dhe vendimin për të lejuar arrestimin e deputetit Armando Prenga".

Deputeti socialist Ndoka, i cili njoftoi një ditë më parë tërheqjen nga mandate parlamentar, ishte akuzuar shpesh për të kaluarën e tij dhe dënimin e marrë në Itali në akuzën e trafikut të prostitucionit. Madje, ndonëse nuk përmendej me emër, rasti i tij u citua dhe në raportin e fundit të Departamentt amerikan të Shtetit për Trafikimin e personave. Ndoka në letrën e tij të dorëheqjes pretendonte se ai është dënuar gabimisht dhe se do të kërkonte me të gjitha rrugët ligjore të pastronte emrin e vet të njollosur sipas tij padrejtësisht.

Deputeti tjetër socialist Armando Prenga përfundoi në pranga pasi dyshohet se u përfshi të shtunën në një konflikt të dhunshëm ku pati 7 të plagosur mes të cilëve dhe dy me armë zjarri. Pas kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të tij dhe autorizimin për të kërkuar arrestin, Gjykata e Lartë rikonfirmoi sot mbajtjen e tij në qeli.

Për të dy rastet, ambasada e Shteteve të Bashkuara thekson se “këto vendime përfaqësojnë përparim të mirëfilltë për Shqipërinë drejt krijimit të një sistemi politik me drejtues të standardeve më të larta etike”. Përfaqësia diplomatike amerikane dhe ambasadori Donald Lu prej muajsh kanë kërkuar me forcë që politika shqiptare të pastrohet nga elementët e inkriminuar.

XS
SM
MD
LG