Lidhje

Ç’po ndodh këtë javë në Uashington?


Vizita e Papa Françeskut në Washington do të tërheqë vëmendjen e kryeqytetit amerikan dhe do të ndërpresë punën normale të Kongresit për disa ditë, ndërsa afrohet fundit i këtij muaji, që shënon edhe përfundimin e vitit finacinar dhe qeveria amerikane ka nevojë për miratimin e buxhetit të ri që të vazhdojë punën. Beteja fiskale u provokua nga një video, ku zyrtarët e Programit për Planifikim Familjar të financuar nga qeveria federale diskutojnë për shitjen e organeve nga fetuset e abortuar.

Nga operacionet ushtarake jashtë vendit, tek parqet kombëtare në vend, qeveria amerikane shpenzon afro 3.5 trilionë dollarë në vit. Ekziston një luftë ndërpartiake lidhur me 500 millionë dollarë nga buxheti, që mund të bëhen shkak për mbylljen e pjesës më të madhe të operacioneve federale më 1 tetor. Ky është financimi që jepet për Programin e Planifikimit Familjar, një organizatë jo-fitimprurëse e kritikuar nga republikanët, të cilët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit.

"Ne duhet të biem dakord të gjithë se dollarët e taksapaguesve nuk duhen përdorur për përfitime nga organet e foshnjeve.”

Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj që financon të gjitha operacionet qeveritare, përveç Programit të Planifikimit Familjar. Ligjvënësi Lois Frankel:

"Ky ligj është i pamenduar dhe për qëllime të ulëta”.

Demokratët, përfshirë presidentin, janë duke kërkuar një tjetër mënyrë.

"Demokratët janë gati të ulen dhe të negociojnë me republikanët që tani. Por bisedinet duhet të jenë lidhur me çështje legjitime, si p.sh. sa investojmë ne për arsimin, kualifikimet për punë dhe infrastrukturën, jo për çështje ideologjike pa lidhje, si Planifikimi Familjar. Ne duhet ta hedhim vështrimin më larg se kaq”, tha Presidenti.

Republikanët konservatorë, si Phil Roer, shprehen shumë ashpër për këtë çështje:

"Kjo lidhet me praktika të tmerrshme të një organizate që merr 500 milionë dollarë në vit nga qeveria federale.”

"A do të mbyllim sytë para këtij neglizhimi të frikshëm të jetës njerëzore? A duam ne të kemi një shoqëri të tillë ?”, ngre pyetjen republikani Tim Whalberg.

Zyrtarët e programit të Planifikimit Familjar thonë se nuk kanë shkelur ndonjë ligj. Demokratët thonë se kjo organizatë bën shumë më tepër se sa kryerja e aborteve.

"Le të kujtojmë rreth 400 mijë analizat, rutinë që parandalojnë kancerin në qafën e mitrës, 500 mijë mamogramet, 4,5 milionë analiza për sëmundjet e transmetueshme me rrugë seksuale, ato për virusin HIV, të gjitha këto bëhen në kuadrin e këtij porgrami.”

Beteja për Programin e Planifikimit Familjar po intensifikohet, ndërsa Papa Françesku, mbrojtës i foshnjeve të palindura, përgatitet të vizitojë Uashingtonin. Shtëpia e Bardhë thotë se ligjit që ndalon financimin e Programit për planfikim familjar do t’i vihet vetoja.

Tani për tani, nuk është e qartë në se një ligj që do të nëshkruante presidenti, do të mund të kalojë tek të dyja dhomat e Kongresit.

XS
SM
MD
LG