Lidhje

Zbulohet 1 ton marijuhanë në Portin e Durrësit


Lënda narkotike, u gjet në brendësi të një kamioni pak përpara imbarkimit të tij në një nga tragetet e linjës për në Itali. Tre persona u arrestuan

Afro 1 tonelatë marijuhanë u sekuestrua nga policia shqiptare në portin e Durrësit mbrëmjen e së dielës. Sasia e madhe e drogës u gjet në brendësi të një kamioni të ngarkuar me lëndë drusore, pas njoftimeve që ishin marrë në rrugë operative. E ndarë në pako, marijuana ishte fshehur mes ngarkesës e cila kishte si destinacion Italinë. Gjatë gjithë natës, ndërsa shkarkonte kamionin, policia peshoi drogën e zbuluar, e cila në fund rezultoi të ishte 986 kilogram.

Policia njoftoi se ka arrestuar tre persona. Përvec shoferit dhe pronarit të mjetit Albert Doku, 51 vjeç, dhe Ervin Pëllumbi, 36 vjeç, të dy nga Durrësi, në pranga përfundoi dhe Gani Bushati, 55 vjec, nga Bushati i Shkodrës, i cili dyshohet të jetë personi që ka siguruar furnizimin me marijuhanë. Veriu i vendi është identifikuar si një nga zonat e kultivimit të cannabis sativa-s.

Një javë më parë po në qytetin e Durrësit, policia zbuloi një tjetër rrjet të trafikut të marijuhanës. Ajo arrestoi 7 persona, mes të cilëve dhe sipërmarrës të fushës së ndërtimeve dhe karburanteve, të cilët përdornin si bazë një vilë të tyre në qytetin bregdetar, në të cilën u gjetën dhe u sekuestruan 700 kilogram lënë narkotike.

Verën e shkuar autoritetet shqiptare të ndihmuara nga avionë të specializuar të Guardia di Finanza-s italiane, identifikoi një sipërfaqe prej 44 hektarësh të kutivuar me cannabis sativa në zona të ndryshme të vendit, nga Veriu në Jug. Mbi 700 mijë bimë narkotike u asgjësuan gjatë ndërhyrjeve nga toka të policisë shqiptare.

XS
SM
MD
LG