Lidhje

Dorëhiqet kryeministri rumun


Dorëheqja pason protestat masive me thirrjet kundër zyrtarëve të korruptuar që demonstruesit i pasojësojnë për zjarrin vdekjeprurës në një klub nate

Kryeministri i Rumanisë Victor Ponta njoftoi dorëheqjen në përgjigje të protestave që kërkonin largimin e tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë pas zjarrit në një klub nate që la të vdekur 32 vetë. Protestuesit rumunë akuzojnë zyrtarët për mit-marrje në shkëmbim të nxjerrjes së lejeve të parregullta për klube dhe lokale publike, ku nuk respektohen rregullat e sigurisë.

Zyra e kryeministrit rumun nxori sot një deklaratë duke thënë se kreu i qeverisë shpreson që reagimi i tij do të jetë i kënaqshëm për mijëra vetë që u hodhën në protesta në qendër të Bukureshtit. Vetë kryeministri Victor Ponta tha se merr mbi vete përgjegjësinë në përgjigje të thirrjeve popullore për dorëheqje:

“Është detyra ime të marr parasysh shqetësimet legjitime, dëshirën legjitime të protestuesve që njerëz me pozita më të larta se pronarët e klubit të mbajnë përgjegjësi. Njerëzit e kërkojnë një qëndrim të tillë dhe do të ishte gabim nga ana ime të injoroj thirrjet e tyre. Nuk mendoj se është e drejtë t’ia hedh përgjegjësinë atyre në terren, kryetarit të bashkisë apo ministrave”.

32 vetë gjetën vdekjen të premten në mbrëmje dhe mbi 200 të tjerë u lënduan rëndë pasi fishekzjarret e përdorura gjetë një shfaqjeje ndezën tavanin, duke shkaktuar panik tek spektatorët. Në sallë ndodheshin 400 vetë që shtyheshin drejt daljes së vetme të klubit.

Mbrëmë demonstrues të revoltuar protestuan në qendër të Bukureshtit, duke mbajtur tabela në duar ku shkruhej “Korrupsioni Vret”. Protestuesit akuzojnë zyrtarët se marrin rryshfete për të dhënë leje të parregullta për klube ku nuk ndiqen rregullat e sigurisë teknike dhe numrit maksimal të spektatorëve.

Prokurorët rumunë kanë dhënë urdhër për ndalimin e tre prornarëve të klubit, të cilët po merren në pyetje lidhur me incidentin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG