Lidhje

Autocensura në median shqiptare


Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunim Europian, OSBE, organizoi sot në Tiranë një forum mbi zhvillimin e mediave shqiptare. Gjendja e shtypit shqiptar vlerësohet nga disa studime si e vështirë nga ana financiare, ndërsa gazetarët janë të mbizotëruar nga auto-censura.

Vëzhguesit pohojnë se shumë gazetarë punojnë pa kontrata pune dhe pagat e tyre vonohen rregullisht. Ata theksojnë se prapa numrit të madh të mediave fshihet mungesa e profesionalizmit dhe keqpërdorimi i tyre nga pronarët.

Media shqiptare mbizotërohen sot nga vetë-censura dhe pafuqia ekonomike për të zhvilluar një gazetari të përgjegjshme qytetare. Ky ishte një nga përfundimet e forumit që zhvilloi sot zyra e OSBE-së për zhvillimin e medias në bashkëpunim me organizata dhe institute vendase. Mediat shqiptare janë në pamjen e parë mjaft të zhvilluara numerikisht në raport me publikun e tyre relativisht të vogël. Por vëzhguesit pohojnë se prapa shifrave për një numër të madh mediash dhe gazetash fshihet një përmbajtje shumë e kufizuar dhe një besueshmëri akoma edhe më e kufizuar.

Një temë e nxehtë e debateve në këtë forum ishte edhe punësimi dhe pozita sociale e gazetarëve. Pavarësia profesionale e gazetarëve është dobësuar nga varësia prej punëdhënësve, ndërsa punësimi në të zezë dhe vonesat e rrogave janë bërë të zakonshme. Kjo klimë vjen nga mediat jofitimprurëse, por jo rrallë bëhet qëllimisht për të kontrolluar gazetarin.

Shumë gazetarë mbeten pa mbrojtje përballë punëdhënësve, duke dëmtuar standartet profesionale dhe pavarësinë editoriale. Për më tepër, mbart rrezikun e vetëcensurimit. Sipas një studimi të agjencisë BIRN vetëcensurimi është pengesa kryesore e mediave shqiptare.dhe institucionet demokratike presin mëkëmbjen e mediave profesionale, por ky nuk është një proces i lehtë.

Një pjesë e mediave janë nën ndikimin e qarqeve politike dhe një pjesë tjetër kontrollohen fort nga pronarët e tyre me biznese të shumëllojshme, që i lidhin me interesa shtetërore, si ndërtimi dhe prodhime të tjera. Në forum u tha se përmirësimi i medias kërkon angazhim të gjerë politik dhe angazhimin e vetë gazetarëve e të shoqërisë civile.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG