Lidhje

Moti i keq, u përmbytën mbi 5 mijë ha


Rreshjet sollën probleme në zona të ndryshme të vendit. Disa lumenj dolën nga shtrati. Përmirësohet situata pas ndërprerjes së shirave

Rreshjet e dendura të dy ditëve të fundit në Shqipëri kanë përmbytur mbi 5 mijë hektarë sipërfaqe, ndërsa qindra banesa në zona të ndryshme të vendit u rrethuan nga uji. Harta e përmbytjeve u shtri duke sjellë probleme si në Veri ashtu dhe në Jug të vendit, vecanërisht për shkak të daljes nga shtrati të disa lumenjve si Drini i Zi, Erzeni dhe Shkumbini.

Në zonën e Lezhës sipas informacioneve të Ministrisë së Bujqësisë sipërfaqet e përmbytura arritën në 1500 hektarë. Probleme pati dhe në zonën qëndrore të vendit, në rrethinat e Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit si dhe në Shijak e Ishëm. Në këtë të fundit uji mbuloi një sipërfaqe prej 300 hektarësh, si pasojë e daljes së lumit Ishëm nga shtrati. Ndërsa vërshimi i lumit Erzen coi në përmbyjen e afro 3 mijë hektarëve përgjatë rrjedhës së tij.

Një situatë vecanërisht problematike u krijua në disa zona të Lushnjës dhe Fierit për shkak se prurjet e forta të Shkumbinit cuan në carjen e argjinaturës, duke përmbytur rreth 500 hektarë në Cermë.

Probleme ka patur edhe në akset rrugore për shkak të rrëshqitjeve të dherave, apo dëmtimeve të disa urave që lidhin fshatrat mes tyre.

Gjatë ditës së sotme reshjet janë ndërprerë duke bërë të mundur që të ndërhyhet më me shpejtësi për riparimin e dëmeve. Përvec njësive të emergjencave civile, për përballimin e situatës janë angazhuar edhe njësi të forcave speciale të policisë dhe të ushtrisë, të cilat kanë ndihmuar në evakuimin e banorëve në zonat e rrezikuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG