Lidhje

Charlie Hebdo dhe beteja kundër ISIS


French police

French police

Parizienët po shënojnë këtë javë një vjetorin e sulmit terrorist në revistën satirike franceze Charlie Hebdo dhe në një market hebraik ku gjetën vdekjen 17 vetë. Sulmet ishin frymëzuar nga fushata e terrorit e Shtetit Islamik. Një vit më pas, beteja kundër ISIS ka marrë një pamje krejt tjetër:

Edicioni që hodhi në qarkullim revista në përvjetorin e sulmit është pritur mirë nga blerësit. Lexuesit tregojnë solidaritet me gazetarët që humbën jetën.

“Duhet t’i mbrojmë disa vlera. Unë e mbështes 100% ekzistencën e Charlie Hebdo dhe punën e gazetarëve,” thotë një banor.

Presidenti francez Francois Hollande i kujtoi viktimat me pllaka të vendosura tek redaksia e revistës dhe marketi.

Por një vit pas masakrës, bota ka ndryshuar. Ushtarë kurdë dhe irakianë, të mbështetur prej muajsh nga fushata ajrore kundër ISIS, po avancojnë në Irak dhe Siri.

"Besojmë se në Irak ISIS kontrollon rreth 40% të territorit. Në Siri është më e vështirë të konfirmohen shifrat, por mendojmë se diku nën 20%. Pra mund të jetë tek 30% për Irakun dhe Sirinë të marrë së bashku” - thotë Kolonel Steve Warren, zëdhënës i koalicionit.

Por fitoret nuk janë të lehta. Më shumë se një javë pas marrjes së Ramadit, ushtarët irakianë vazhdojnë kërkimet për xhihadistë që mund të jenë duke mbajtur peng banorë lokalë.

“Nuk kishim ushqim, as ujë për dhjetë ditë. Ishim të bllokuar. Sot ushtarët na thanë të largoheshim nga shtëpitë. Na shpëtuan. Gratë po humbnin ndjenjat, pa ngrënë. Na duhej të pinim ujë të pisët”, thotë një banor i Ramadit.

Disa analistë thonë se ISIS e ka intensifikuar propagandën në përpjekje për të treguar forcën e tij. Në një video të paverifikuar në internet, një person me theks britanik i drejtohet kryeministrit britanik:

Personi thotë se Britania do të jetë një ditë nën kontrollin e ISIS. Videoja tregon më pas ekzekutimin e pesë personave të akuzuar si spiunë të Perëndimit.

Kryeministri David Cameron e cilësoi mesazhin “të pështirë” dhe u zotua se Perëndimi do të triumfojë.

“Vlerat tona janë shumë më të forta se të tyret. Mund të duhet kohë, por ata do të mposhten”.

Ajo ditë mund të jetë tepër vonë për disa, si ky djalë britanik që reciton parullat e ISIS.

XS
SM
MD
LG