Lidhje

Irani gati për biznes


France Iran Javad Zarif Hassan Rouhani Francois Hollande Laurent Fabius
France Iran Javad Zarif Hassan Rouhani Francois Hollande Laurent Fabius

Irani është i hapur për të bërë biznes. Ky është mesazhi i Presidentit Hassan Rouhani gjatë vizitës së tij historike në Evropë.

Me shumicën e sanksioneve tashmë të hequra pas marrëveshjes bërthamore, Irani ka filluar ofensivën për të joshur investime në territorin e tij, si një mënyrë çlirimi pas vitesh izolimi ndërkombëtar. Por, ekspertët mendojnë se kompanitë amerikane nuk do të hyjnë kaq kollaj.

Me mbërritjen në Francë javën e kaluar, Presidenti Rouhani tha se vizita e tij synonte të forconte lidhjet e Iranit me Bashkimin Evropian dhe të nxiste marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pa humbur kohë, ai nënshkroi blerjen e mbi 100 avionëve Airbus, me vlerë 27 miliardë dollarë, si dhe kontrata të tjera shumë-miliardëshe me Francën dhe Italinë.

Ekonomisti Peter Cardillo thotë se kjo është një ofensivë joshjeje që synon të zbusë qasjen e Perëndimit ndaj Iranit.

“Mendoj se do të shohim një turrje të kompanive për të zotëruar pjesë të tregut iranian.”

Megjithë këto mundësi, kompanitë amerikane ndoshta do të veprojnë me kujdes. Eksperti i Lindjes së Mesme, Ken Weinstein, i tha Zërit të Amerikës se disa sanksione të SHBA-së do të vazhdojnë, për të parandaluar ndonjë shkelje të ardhshme nukleare nga Irani.

“Kompanitë amerikane duhet të jenë të vëmendshme pasi disa prej këtyre sanksioneve mund të ndikojnë në operacionet e tyre në Iran dhe më gjerë.”

Retorika në SHBA gjatë një viti elektoral gjithashtu mund ta shtojë pasigurinë në marrëdhëniet SHBA-Iran. Zoti Weinstein thotë se do të varet shumë nga sjellja e qeverisë së Iranit.

“Nëse regjimi iranian i largohet programit të raketave balistike, nëse shmang veprimet agresive ndaj fqinjëve, nëse fillon të respektojë të drejtat e njeriut: të drejtat e grave dhe minoriteteve, atëherë çështja e sanksioneve nuk do të jetë shumë problematike.”

Analistët thonë se Irani mund ta shtojë këtë pasiguri duke ndërvepruar me kompanitë evropiane, me synimin e mundshëm për të krijuar një çarje ndërmjet SHBA-së dhe Evropës. Por me çmimin e ulët të naftës, që është burimi kryesore i të ardhurave të Iranit, zoti Cardillo thotë se Irani do të veprojë si të jetë më mirë për të.

“Do t’u duhet kohë të rrisin prodhimin aq sa të shikojnë të ardhurave të konsiderueshme nga nafta, kështu që tani po përpiqen të arrijnë kontrata madhore.”

Pas vitesh izolimi, Irani mezi pret të shesë atributet e tij. Me një treg prej 80 milionë njerëzish dhe me një prodhimtari prej 400 miliardë dollarësh në vit, Irani është tashmë ekonomia më e madhe që rifutet në sistemin global tregtar, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

XS
SM
MD
LG