Lidhje

Një njëqindvjeçare që vazhdon të punojë


Numri i amerikanëve mbi 100 vjeç është duke u rritur. Një raport i kohëve të fundit tregon se në SHBA ka më tepër se 72 mijë njerëz mbi 100 vjeç. Jetëgjatësia mund të mos jetë më një sfidë siç ka qenë më parë, por të ruash një stil jetese të shëndetshëm dhe aktiv vazhdon të jetë diçka e vështirë. Në vazhdim ju njohim me një grua mbi 100 vjeçare, e cila nuk e përfill stereotipin që ekziston për moshën e vjetër.

Mabel Sawhill gjithnjë është e zënë me punë. Ajo shërben drekën në Klubin e Grave të Bethesdës, një prej klientëve të saj më besnikë. Sawhill është 102 vjeçe dhe ajo ka prej dekadash biznesin e saj të furnizimit me ushqim në zonën e Uashingtonit:

“Kam punuar për një numër të madh dasmash, darkash në kisha, bankete në shkolla, klube grash dhe pritje funeralesh,”- thotë Mabel.

Mabel Sawhill ka lindur në vitin 1913 në Uinterset të shtetit Ajova. Pasi përfundoi studimet universitare, ajo punoi si mësuese në shkollën e mesme nëDes Moines të Ajovës, por në vitin 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, falë shpirtit të saj patriotik ajo vendosi të shkonte në Uashington.

“Në atë kohë të gjithë bënin diçka për vendin. Prandaj mendova se ndoshta duhet ta lija mësimdhënien dhe të bëjë diçka për të ndihmuar gjatë luftës,”- kujton ajo.

Mabel filloi një punë në administratë, në Departamentin e Marinës dhe punoi atje deri sa doli në pension, në vitin 1983. Pastaj ju kushtua tërësisht biznesit të saj ushqimor, për të cilin kishte punuar prej vitesh pas punës:

“Unë i dua njerëzit, prandaj doja që të përgatisja për ta ushqime që u pëlqejnë.”

Sawhill krenohet me disa ushqime që ajo ka krijuar, si këta kulaçë:

"Këto fillova t’i bëj gjatë Luftës së Dytë Botërore”, - kujton ajo.

Ajo nuk ka syze, apo aparat dëgjimi dhe thotë se sëmuret shumë rrallë:

“Sepse kur punoj, lëviz gjithë ditën dhe kjo është fiskulturë për mua… Shkoj blej ushqimet dhe pastaj i mbaj ato vetë…”

Për të festuar 100 vjetorin e saj erdhën në kishë disa njëqindvjeçarë. Në vend që të pranonte dhurata, ajo donte të dhuronte për të tjerët:

“I kërkova miqve të jepnin para për Kolegjin Gallaudet, që është i vetmi kolegj për shurdhë-memecët në Shtetet e Bashkuara,”- thotë ajo.

“Gatimet janë fantastike. Sa herë që vijmë këtu, ajo i sjell ushqimet. Është frymëzim për të gjithë ne,” – thotë kjo anëtare e klubit të grave.

Mabel Sawhill nuk është martuar asnjëherë. Ajo thotë se i pëlqen të jetë e pavarur dhe se nuk dëshiron ta ngadalësojë ritmin e jetës.

"Kam shumë energji dhe dua ta përdor atë. Nuk kam në plan të dal në pension. Do të ndalem vetëm kur të vendosë të më marrë Zoti,” – thotë Mabel.

XS
SM
MD
LG