Lidhje

Drejtësi, shqiptarët mbështetje Reformës


Sondazh: 91 përqind e të pyeturve e përkrahin. 3 në 4 qytetarët besojnë se BE-ja dhe Ambasada Amerikane janë “shumë të interesuar”, ndërsa më pak se gjysma besojnë se të njejtin interes mund të kenë edhe aktorët vendas

Qytetarët shqiptarë i japin një mbështetje të hapur realizimit të Reformës në Drejtësi. Një sondazh i kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) në periudhën Janar-Shkurt të këtij viti, me 1000 intervista të drejtpërdrejta me grupe të ndryshme, tregon se 91 përqind e të intervistuarve ose e mbështesin “plotësisht” (67 përqind) ose “deri diku” (27 përqind) nevojën për një reformë të tillë. Të dhënat dëshmojnë gjithashtu se mbështetje më të madhe japin ata që kanë dhe më shumë informacion mbi reformën, ndërkohë që përkatësia politike nuk ka ndikim.

Megjithatë, informacioni duket të jetë përgjithësisht sipërfaqësor. Vetëm 1 në 5 qytetarë pretendon të jetë në dijeni të ndonjërit nga ndryshimet e propozuara në draft. Ndërkohë, shumica e qytetarëve të cilët pretendojnë se janë në dijeni të këtyre ndryshimeve, pret që Prokuroria e Përgjithshme (72%) Këshilli i Lartë i Drejtësisë (66%) dhe Gjykata e Lartë (65%) të jenë institucionet, përgjegjësitë dhe autoriteti i të cilave do të ndryshojnë më shumë pasi reforma të zbatohet. Shumica e qytetarëve shqiptarë e konsideron veten “të informuar” mbi reformën në drejtësi (14% “shumë të informuar” dhe 49% “deri diku të informuar”), dhe burimi kryesor i informacionit për këtë çështje është televizioni (95% e të intervistuarve).

Sipas sondazhit të intervistuarit besojnë se komuniteti ndërkombëtar është më shumë i interesuar për reformën krahasuar me secilin prej aktorëve vendas (më shumë se 3 në 4 qytetarë besojnë se BE-ja dhe Ambasada Amerikane janë “shumë të interesuar” për reformën, ndërkohë që maksimumi vetëm 1 në 2 qytetarë besojnë se ndonjë nga aktorët vendas, qoftë qeveria apo partitë politike, janë “shumë të interesuar” për këtë reformë). Qytetarët shqiptarë, 90 përqind e të intervistuarve, besojnë se BE-ja dhe Ambasada Amerikane në Tiranë mbështesin plotësisht reformën në drejtësi. Ndërkohë, sipas sondazhit, “gykatësit dhe prokurorët” rezultojnë të jenë kategoritë më pak të interesuara për reformën (vetëm 17% dhe 18% e qytetarëve mendojnë se këto grupe janë “shumë të interesuar” për reformën).

Lidhur me pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë ndaj Reformës 65 përqind janë optimistë se do të mund të miratohet nga parlamenti brenda vitit 2016. Megjithatë, ata (66 përqind gjithashtu mendojnë se do të ketë grupe/organizata/individë të cilët do të përpiqen ta pengojnë miratimin e kësaj reforme në parlament. Edhe pse bien dakord që reforma do të “luftonte pandëshkueshmërinë” (79 përqind) dhe do të “rriste efikasitetin dhe profesionalizmin e gjykatave” (82 përqind), ata gjithashtu mendojnë se reforma mund të jetë “rezultat i negociatave politike të cilat mund të ndikonin negativisht suksesin e saj” (52 përqind), ose që “njerëzit që janë pjesë e sistemit gjyqësor janë të korruptuar, dhe si rrjedhojë ndryshimi i sistemit nuk do të garantonte përmirësimin e tij” (60 përqind).

XS
SM
MD
LG