Lidhje

Turqia dhe lufta kundër Shtetit Islamik


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan po akuzon fuqitë perëndimore që po luftojnë ekstremistët e Shtetit Islamik në veri të Sirisë se ato nuk po ndihmojnë qeverinë e tij për të luftuar xhihadistët në territorin turk. Duke folur të dielën në Stamboll, presidenti Erdogan tha se Evropa e ka lënë Turqinë të vetme në luftën e saj kundër militantëve.

"Asnjëri prej atyre vendeve që thonë se po luftojnë kundër Shtetit Islamik në Siri, nuk ka pësuar asnjë viktimë e as nuk ka paguar një çmim të madh për përfshirjen në këtë përpjekje. Ata (duke iu referuar BE-së ) na lanë vetëm në luftën tonë kundër kësaj organizate, e cila na ka dëmtuar përmes sulmeve vetvrasëse dhe sulmeve tjera kundër qytetit të Kilis (qytet kufitar në Turqinë juglindore). Dallimi mes reagimeve ndaj shpërthimeve në Ankara dhe Stamboll me ato ndaj sulmeve në Paris dhe Bruksel nuk është asgjë tjetër veçse një padrejtësi konkrete".

Komentet e tij erdhën një ditë pasi autoritetet thanë se bombardimet turke vranë 55 militantë të Shtetit Islamik në veri të Sirisë. Sulmet ishin një kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa të militantëve një javë më parë ndaj qytetit të Kilisit, ku u vranë 20 njerëz.

Ushtria turke ka publikuar një video të sulmeve ajrore në rajonet Suran, Tal El Hisn, në veri të Alepos, Baragidah dhe Kusakcik.

Ankesa e zotit Erdogan është shenja e fundit e fërkimit midis Ankarasë dhe Brukselit, i cili i ka bërë thirrje Turqisë të reformojë ligjet kundër terrorizimit që thuhet se po përdoren gjithnjë e më shumë kundër kritikëve dhe kundërshtarëve të presidentit turk.

Zoti Erdogan këmbëngul se Turqia po përballet me kërcënime të dyfishta nga rebelët kurdë dhe Shteti Islamik dhe ka nevojë për forcimin e ligjeve kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG