Lidhje

USAID ndihmon reformën energjitike


Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, po bashkëpunon me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për të përmirësuar me metoda bashkëkohore menaxhimin e sektorit më kritik e më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Agjencia e Zhvillimit Ndërkombëtar USAID, Shoqata e Energjisë e SHBA USEA dhe OSHEE shqiptare zhvilluan sot një konferencë të përbashkët me ekspertët e tyre si të përmirësojnë shërbimet dhe arkëtimet në tregun energjisë, ku pritet të hyjnë liberalizimi dhe operatorë të rinj.

Përfaqësuesi i USAID-it në Shqipëri, Markus Xhonson tha se këto sfida vështirësohen më tej në kushtet kur në Ballkan po krijohet një treg rajonal energjie dhe menaxhimi i saktë është celësi i suksesit.

“USAID ka qenë një partner i rëndëishëm dhe historik, duke mbështetur reformat në sektorin energjitik të Shqipërisë. Mbështetja e USAID për këtë reformë ka qenë e shumëllojshme; ligjore, rregullatore, në menaxhim praktik, si dhe duke mbështetur integrimin dhe bashkëpunimin rajonal” - tha zoti Xhonson.

Ekspertë nga SHBA po shpjegojnë praktikat më të mira për të mbështetur veprimtarinë e sistemit energjitik shqiptar.

“Nga ky bashkëpunim OSHEE ka arritur rezultate të kënaqshme deri tani, dhe është bërë antare e programit amerikan për sistemet operative të sigurisë në Europën Juglindore. Përfaqësuesit shqiptarë të kompanisë dhe të qeverisë janë të vetëdijshëm për vështirësitë dhe rreziqet e kësaj reforme, por të gjithë po përpiqen t'i realizojnë me sukses, sepse e dinë mirë se sa të rëndësishme dhe sa thelbësore janë ato për ekonominë e vendit dhe për qytetarët shqiptarë” - tha drejtuesi USAID për Shqipërinë.

OSHEE vazhdon të instalojë dhjetëra mijë matësa të rinj të energjisë elektrike, të rritë arkëtimet e prapambetura të faturave dhe të ri-investojë stacione të reja në rrjetin e vjetëruar elektrik të Shqipërisë.

Sipas statistikave të kompanisë, financat e saj dhe situata energjitike po përmirësohen, ndërsa pjesa dërrmuese e fondeve të mbledhura nga faturat e vjetra po ri-investohen për fuqizimin e rrjetit të dëmtuar me linja dhe kabina tërësisht të reja.

Sipas tyre, humbjet e energjisë u pakësuan më tej, ndërsa arkëtimet u shtuan, sepse pagesa e faturave u shtua nga 66% në 87%.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG