Lidhje

Prokuroria verifikime për kryebashkiakun Roshi


Në Shqipëri Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se do të kryejë verifikime të mëtejshme ndaj kryetarit të Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit

Vendimi i Prokurorisë erdhi pas publikimit të formularit të plotësuar nga kryebashkiaku Roshi, i cili ka deklaruar se ka qenë i ndaluar në Gjermani. Në formular, zoti Roshi nuk përcakton saktë vitin, duke shkruar se ka ndodhur para vitit 2002, sikundër nuk jep dhe arsyet e ndalimit apo arrestimit të tij, duke shkruar se “nuk e mban mend”.

Sipas Prokurorisë në formularin e plotësuar “ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar” dhe për këtë arsye ka kërkuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që të paraqesë materialet paraprake.

Kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, i cili ka patur mbështetje publike nga kryeministri Edi Rama, ka qenë shpesh në qendër të akuzave të opozitës për të kaluarën e tij dhe dyshimeve për përfshirje në aktivitete kriminale. Në një reagim të tijin, zoti Roshi, shpjegon se është ndaluar nga autoritetet gjermane dhe dëbuar nga Gjermania pasi ka qenë “emigrant pa leje”, duke u shprehur se për të qenë i saktë në përcaktimet ligjore ka shkruar se nuk i mban mend detajet e cështjes, për të cilat thotë se po zbardhen nga avokatët e tij. Në reagimin e tij ai deklaron se nuk është subjekt i asnjë krimi që parashikon ligji i dekriminalizimit.

XS
SM
MD
LG