Lidhje

Një guidë për korrupsionin në Britani


Ndërkohë që udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Londër për një takim kundër korrupsionit, një grup aktivistësh ka organizuar një guidë alternative të kryeqytetit britanik. Gjatë guidës vizitohen disa nga pronat më të shtrenjta të miliarderëve të botës, të cilët aktivistët thonë se shfrytëzojnë sistemin britanik të parajsave fiskale.

Kështu fillon Guida e Kleptokracisë së Londrës.

“Qëllimi i kësaj guide është të vërë në dukje lumin e parasë së pistë që vjen në brigjet tona.”

Ndalesa e parë është në Knightsbridge, epiqendër e preferuar e miliarderëve rusë dhe nga Lindja e Mesme.

“Këtu jemi në parkun Hyde dhe mund të përqëndroheni në të djathtë, në anën tjetër të stacionit të metrosë.”

Një apartament këtu shitet për mbi 100 milionë dollarë. Njëri prej tyre është në pronësi të Leonid Fedun, drejtor i firmës së naftës ruse, Lukoil.

“Fedun mund të jetë një gjigand i industrisë ruse, por praktikat e tij të biznesit janë larg shembullores. Firma “Lukoil” është përfshirë në pastrim parash dhe në skandale shmangieje taksash.”

Aktivistët thonë se nxjerra masive e të dhënave të firmës panameze Mossack Fonseca ka ndihmuar në ngritjen e perdes së sekretit rreth parajsave fiskale dhe bazuar mbi këtë informacion ata tani kanë shtuar ndalesa të reja në guidën e tyre.

“Fshehtësia e origjinës së këtyre korporatave në parajsat fiskale janë burimi i kriminalitetit që vjen në vendin tonë.”

Ndalesa është tek një ish-stacion i nëndheshëm i metrosë së Londrës, që i është shitur për 76.5 milionë dollarë nga Ministria britanike e Mbrojtjes, miliarderit ukrainas Dmytro Firtash, ish-aleat i presidentit të larguar Viktor Yanukovych, i akuzuar për rryshfet nga FBI-ja në vitin 2014. Në një gjykatë austriake është ende duke u shqyrtuar kërkesa për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

“Ndodhemi në një situatë kur Britania thotë se dëshiron të shohë një Ukrainë demokratike, të begatë dhe aleate të perëndimit, por ja që qeveria britanike i shet një pjesë të kryeqytetit të saj njërit prej personave më të afërt të regjimit të kaluar dhe të Presidentit rus Vladimir Putin.”

Ndërsa udhëheqësit botërorë mblidhen në Londër, aktivistët synojnë të nxjerrin në pah rolin e madh që kryeqyteti britanik ka në fshehjen e pasurive nga taksat dhe organet ligjzbatuese.

Aktivistët do të zhvillojnë shtatë Guida të Kleptokracisë për periudhën e samitit kundër korrupsionit. Ndërkohë që po shtohet popullariteti i këtyre tureve, organizatorët thonë nëse Kryeministri britanik Cameron ul tonet kundër korrupsionit, atëherë shtëpia e tij në Londër, në adresën Downing Street numër 10, do të bëhet ndalesa e ardhshme.

XS
SM
MD
LG