Lidhje

Debati për foton e Ramës me Obamën

  • Armand Mero

Zëri i Amerikës siguron pyetje përgjigjet në prokurorinë e Nju Xhersit të shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu, i cili dyshohet se mundësoi foton. Paratë që derdhi për fushatën e Obamës u nisën nga Shqipëria. Rama mohon të ketë ofruar para

Në Shqipëri është rikthyer debati rreth një foto të kryeministrit aktual Edi Rama me presidentin Barack Obama, të realizuar në vitin 2012. Çështja u rihap pasi qytetari amerikan me origjinë shqiptare Bilal Shehu, i cili mendohet se ndihmoi në atë kohë zotin Rama, kryetar i opozitës, të realizonte foton, pasi kishte derdhur 80 mijë dollarë kontribute për fushatën e presidentit Obama, pranoi se kishte shkelur ligjet amerikane. Zëri i Amerikës ka mësuar se burimi i parave ka qenë nga Shqipëria. Në përgjigje të akuzave të opozitës, kryeministri Rama hodhi poshtë çdo akuzë për kryerjen e veprimeve financiare për realizimin e fotos.

Aktet e procesit gjyqësor ndaj Bilal Shehut, shqiptarit me banim në Nju Xhersi, lidhur me financimin me burime të huaja të fushatës së presidentit Obama, dëshmojnë, sic dhe e ka pranuar, se në shtator të vitit 2012 ka ndihmuar dy shtetas të huaj që të japin një kontribut orej 80 mijë dollarësh. Në pyetjet drejtuar Shehut, të cilat janë siguara nga Zëri i Amerikës, nuk përmenden emra, por të dy shtetasit cilësohen si i Huaji 1 dhe i Huaji 2. I Huaji 1 rezulton të jetë qytetar grek, përmes një kompanie të të cilit rezulton të jetë bërë dhe lëvrimi i fondeve. Zëri i Amerikës ka mësuar gjithashtu nga burime zyrtare se paratë që janë kaluar në llogarinë e Shehut janë dërguar nga Shqipëria.

Nga procesi i pyetjeve rezulton se financimi për fushatën do të bëhej me qëllim që dy personat të merrnin pjesë në një takim të mbledhjes së fondeve më 8 tetor të vitit 2012. Ligjet amerikane ndalojnë financimet nga jashtë për fushatë. Po ashtu dhe pjesmarrja e të huajve në ceremonitë e mbledhjeve të fondeve është e ndaluar, përjashto rastet kur ata shoqërohen nga shtetas amerikanë. Shehu ka pranuar se do të shoqëronte në ceremoninë e San Françiskos të Huajin 2 dhe se e ka bërë këtë në muajin tetor. Po ashtu ai ka pohuar se të Huajit 2 nuk i është lejuar hyrja, por vetëm një foto me presidentin Obama.

Debatet e para për foton e zotit Rama me Presidentin amerikan, së bashku me dyshimet se ishte realizuar falë ndërhyrjes së Bilal Shehut nisën në vitin 2013, pak para zgjedhjeve politike të qershorit. Që në atë kohë u bë i njohur fakti se Shehu kishte dhënë donacione prej 80 mijë dollarësh. Ligjvënësi republikan nga Kalifornia, Dana Rohrabacher, u kërkoi menjëherë autoriteteve amerikane të hetonin burimin e parave që siç theksonte ai ishin “përdorur për të siguruar një fotografi, që kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama ka bërë me Presidentin Obama, gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh vitin e kaluar”.

Sot zoti Rama reagoi për këtë cështje pas akuzave të ngritura më herët nga partia demokratike si dhe publikimit nga mediat lokale të vendimit të pranimit të fajësisë nga ana e Shehut, duke folur për “manipulim mediatik”. Zyra e tij theksoi në një deklarata se “Kryeministri Edi Rama, as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdolloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara”, por ai nuk sqaron nëse ka qenë në dijeni apo jo nëse një subjekt tjetër ka kryer pagesën për të mundësuar pagesën apo fotografinë e tij.

Lidhur me njohjet e tij me Bilal Shehun, shpjegohet se ai “është pjesëtar i komunitetit shqiptar në Neë York dhe është takuar me delegacionin shqiptar në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”. Në deklaratë megjithatë nuk përmendet se ku është bërë takimi me Shehun. Sipas një shkrimi të botuar kohë më parë nga agjencia BIRN, Shehu ka postuar në Facebook më 8 tetor, ditën kur është zhvilluar ceremonia e mbledhjes së fondeve, një fotografi të tijën me Presidentin Obama dhe një tjetër po në të njejtën ditë me zotin Rama.

Partia demokratike e akuzoi zotin Rama se ka paguar 80 mijë dollarë për një foto me presidentin amerikan për të mashtruar shqiptarët. Kryetari Lulzim Basha ngriti një sërë pyetjesh drejtuar kryeministrit: “Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohe kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë eurosh? Apo janë para ryshfeti e korrupsion? Cili është burimi i tyre? Çfarë ka marrë në këmbim të këtyre parave sponsorizuesit?”

Zoti Basha kërkoi që edhe prokuroria shqiptare të nisë një hetim për këtë cështje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG