Lidhje

Art për të shpëtuar detin


art to save the sea
art to save the sea

Kopshti Zoologjik në Uashington ka rreth 1800 kafshë që u përkasin 300 specieve të ndryshme.

Por gjatë verës vizitorët do të kenë mundësi të shohin edhe skulptura gjigande që theksojnë përmasat serioze të problemit të ndotjes në oqeane.

Ekspozia e re titullohet: Sjellë nga Deti: Art për të shpëtuar Detet:

Në hyrje të kopshtit, vizitorët shohin një peshk papagall gjigant. Pak më tutje, një zog deti, një yll deti si dhe skulptura të tjera që të tërheqin vëmendjen.

Por kur i sheh nga afër dallon se skulpturat janë realizuar me lojra plastike, krëhër, tapa shishesh si dhe objekte të tjera të përditshme.

“Vizitorët që vijnë mendojnë se skulpturat janë relizuar nga objekte plastike të ricikluara, por në fakt janë mbetje që i ka sjellë deti. Sapo e mësojnë këtë fakt, shokohen”, thotë MARIA AMAYA, vullnetare në Kopshtin Zoologjik.

Skulpturat u krijuan nga Angela Haseltine Pozzi me ndihmën e mijëra vullnetarëve për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm. Artistja është drejtore e shoqatës ambjentaliste: Washed Ashore - Sjellë nga Deti:

“Këto janë objekte plastike të mbledhura në brigjet e detit. Kemi zgjedhur nga rreth 18 tonë plehra në një plazh të vogël gjatë gjashtë viteve të fundit. Kjo situatë shihet kudo në botë. Ky është një problem global me ndotjen nga mbetjet plastike”.

Deri tani zonja Pozzi ka krijuar 68 skulptura dhe 17 prej tyre janë vendosur në Kopshtin Zoologjik të Uashingtonit.

Një skelet është krijuar vetëm me shishe klori, një peshk ka në gojë pantofla plastike dhe qindar shishe uji janë përdorur për të krijuar një kandil deti.

“Kam zgjedhur qëllimisht të përfaqësoj këto kafshë që janë shumë të rrezikuara nga mbetjet e hedhura në det. Materiali plastik shpërbëhet në copëza mikroskopike dhe futet në ushqimin e kafshëve, pra ndikon tek çdo gjë në det”, thotë Angela.

Një studim i ri përllogarit që rreth 8 milionë tonë mbetje plastike hidhen në oqean çdo vit, duke kërcënuar një mori gjallesash detare.

“Objektet plastike me një përdorim janë ndoshta më të dëmshmet. Përdoren për pesë sekonda dhe mbeten në mjedis përgjithmonë. Njerëzit as që mendojnë për këtë fakt”, thotë Angela.

Mesazhi i këtyre skulpturave po përcillet tek vizitorët e të gjitha moshave:

“Së pari duhet të mos lejojmë plehra në bregdet. Nuk duhet të lëmë mbeturina në plazh, por t’i hedhim në koshat e plehrave që të mos i marrë deti e pastaj të gëlltiten nga peshqit. Duhet të riciklojmë,” thotë Ava, nxënëse e klasës së tretë.

“Duhet të tregohemi më të kujdeshëm. Duhet t’u kushtojmë vëmendje shisheve dhe objekteve që përdorim,” thotë Diana Rodriguez, vizitore në kopshtin zoologjik.

Artistja Pozzi shpreson se ekspozita do të ndikojë tek vizitorë në Shtetet e Bashkuara dhe përtej tyre.

XS
SM
MD
LG