Lidhje

FBI: Nuk ka arsye për akuza ndaj Znj. Clinton


Drejtori i FBI James Comey tha sot se nuk ekzistojnë arsye për të ngritur akuza penale kundër ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton lidhur me përdorimin prej saj të një serveri privat gjatë kohës që ishte në këtë detyrë.

Zoti Comey tha se hetuesit kanë lexuar të 30 mijë emailat që zonja Clinton i kishte dorëzuar Departamentit të Shtetit në vitin 2014 dhe shtoi se 110 prej tyre përmbanin informacion të klasifikuar.

Drejtori i FBI-së tha e mundur që aktorë me synime armiqësore të kenë patur qasje në llogarinë e saj personale të emailit.

Sipas zotit Comey, hetuesit nuk gjetën prova se zonja Clinton mund të ketë fshirë qëllimisht emaila të saj. Por ai shtoi se zonja Clinton dhe stafi i saj "u treguan jashtëzakonisht të pakujdesshëm në trajtimin e informacionit tepër të klasifikuar nga ana e tyre."

Megjithatë, tha ai, FBI-ja ka arritur në përfundimin se ngritja e akuzave në këtë rast do të ishte e papërshtatshme. “Asnjë prokuror i arsyeshëm nuk do të ngrinte akuza,” tha ai.

REAGOJNË REPUBLIKANËT

Menjëherë pasi mësoi mbi përfundimet e FBI-së, kandidati republikan për president, Donald Trump i denoncoi ato me anë të Twitterit: “Drejtori i FBI-së tha se Hillari mashtruese ka dëmtuar sigurinë tonë kombëtare. Nuk ka akuza. Çudi! Sistemi i manipuluar," shkruante zoti Trump.

Ai shkruante se “ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, i cili i dha informacion të klasifikuar një gruaje që ishte e dashura dhe biografja e tij, e pësoi për shumë më pak. Shumë shumë e padrejtë. Si zakonisht gjykim i gabuar."

Paul Ryan, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve që kontrollohet nga republikanët, tha se përfundimet e zotit Comey "sfidojnë çdo shpjegim. Të refuzosh ndjekjen penale ndaj Sekretares Clinton për keqpërdorim dhe transmetim informacionesh të sigurisë kombëtare, kjo do të krijojë një precedent të tmerrshëm."

ÇËSHTJA SERVER, PENGESË PËR KANDIDATEN CLINTON

Njoftimi vjen tri ditë pasi zëdhënësja e kandidates Clinton konfirmoi se ajo ka pasur një takim "vullnetar" me hetuesit mbi përdorimin e serverit personal të emailit. Intervista zgjati orë rreth tre orë e gjysmë në selinë e FBI-së në Uashington.

Zonja Clinton ka shpjeguar se duke përdorur llogarinë e emailit nga një server privat, në vend të një llogarie zyrtare nga një server i qeverisë, ajo donte të garantonte se korrespondenca e saj private do të mbetej e sigurt.

Analistë të jashtëm kanë thënë se duke përdorur një server të tillë korrespondenca e saj do të ishte më pak e sigurtë se sa ajo me një server qeveritar.

Në dy sondazhet e fundit të opinionit, rreth dy të tretat e të anketuarve kanë vënë në dyshim ndershmërinë e saj, ose kanë shprehur shqetësime në lidhje me besueshmërinë e saj.

Kjo është një pengesë që vetë zonja Clinton e ka pranuar.

Republikanët prej kohe janë përpjekur të shfrytëzojnë atë që ata e shohin si një nga pikat e dobëta kryesore të zonjës Klinton.

Kandidati i pritshëm republikan Trump, i është referuar asaj si “mashtruesja Clinton”. Të tjerë kanë lënë të kuptohet se ajo është trajtuar në mënyrë preferenciale.

XS
SM
MD
LG