Lidhje

Kaine, kandidat për zv/president i zonjës Clinton


Kandidatja e pritshme presidenciale e partisë demokrate, Hillari Clinton emëroi një senator të Virxhinias si kandidat për nënpresident.

Tim Kaine, një ish-guvernator i shtetit të Virxhinias, e ka përshkruar veten si "i mërzitshëm", por zonja Clinton thotë se kjo nuk përbën problem për të. "Ai kurrë nuk ka humbur në zgjedhje. Ai ka qenë një kryebashkiak, guvernator dhe senator i klasit botëror dhe është një nga senatorët më të respektuar që unë njoh,” tha zonja Clinton për rrjetin e lajmeve CBS.

Ai shihet gjithashtu si demokrat i moderuar që mund të tërheqë votuesit të cilët janë ftohur me Donald Trumpin si dhe ata që mund ta kenë të vështirë të mbështesin plotësisht zonjën Clinton. Kaine shkruante në një mesazh në Twitter se e quante për nder që ishte përzgjedhur si kandidat për nënpresident dhe mezi priste të dilte në fushatë të shtunën.

Disa demokratë shpresonin se ajo do të zgjidhte një kandidat me pikëpamje më progresive që do të pëlqehej nga mbështetësit e ish-rivalit demokrat të zonjës Clinton, senatorit Bernie Sanders.

Tim Kaine, i cili flet edhe spanjisht, mori një pushim një vjeçar, ndërsa ishte student në Universitetin e Harvardit për të shërbyer si misionar në Honduras.

Megjithatë, jo të gjithë janë të kënaqur me zgjedhjen e ish sekretares Clinton.

Disa aktivistë të Partisë Demokrate thonë se zgjedhja e zonjës Clinton mund të zemërojë afrikano-amerikanët, për shkak të mbështetjes që zoti Kaine i pati bërë programit “Project Exile”, në kohën kur ai ishte kryebashkiak i Riçmondit.

Zoti Kaine e mbështeti programin tashmë të shpërbërë, që kishte për synim pakësimin e dhunës me armë. Programi e cilësonte krim federal armëmbajtjen e paligjshme, duke i lejuar prokurorët t’i dërgonin të dënuarit për këtë krim në burgje të largëta federale për të paktën pesë vjet.

XS
SM
MD
LG