Lidhje

Drejtësia, parlamenti mund të mblidhet më 11 gusht


SHBA dhe BE kërkojnë miratimin me shpejtësi të ligjeve për zbatimin e Reformës. Tension mes shumicës dhe opozitës

Në Shqipëri, kërkesa e shumicës për të miratuar me shpejtësi ligjin për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, riktheu tensionet. Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës Fatmir Xhafaj, kërkoi mbledhjen e anëtarëve për të bërë përshtatjet e nevojshme në përputhje me ndryshimet që u përfshinë në projektin përfundimtar të reformës, duke theksuar se kjo ishte një kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë, duke qenë se për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ata do të angazhojnë ekspertët e tyre”. Ai shpjegoi se për këtë arsye projektligji ka marrë pëlqimin dhe të institucioneve përkatëse të Komisionit europian dhe të Departamentit amerikan të Drejtësisë. “Ndërsa nga ana tjetër, si BE-ja ashtu dhe SHBA-ja, duhet të realizojnë procesin e rekrutimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që do përfshihen në fazën e vlerësimit në Shqipëri”, nënvizoi zoti Xhafaj. Por opozita reagoi me forcë duke folur për “një provokim” nga ana e shumicës e cila sipas saj “po kërkon të veprojë sipas faktit të kryer”.

Debateve duket se i dha fund një deklaratë e përbashkët e ambasadës amerikane dhe Delegacionit të Bashkimit Europian ku theksohej nevoja për miratimin e shpejtë të ligjeve mbështetëse. Deklarata ka shuar edhe një tjetër debat që lidhej me kohën brenda së cilës duhej të mblidhej parlamenti. Sipas zotit Xhafaj, ishin të gjitha mundësitë që ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kalonte të enjten ose të premten, pavarësisht se ndryshimet kushtetuese të miratuara natën e 21 korrikut hyjnë në fuqi jo më parë se data 10 gusht. “Kushtetuta nga pikëpamja formale ka hyrë në fuqi sepse është bërë shpallja publike. Por për t’u bërë efektive natyrisht kërkon 15 ditë kohë. Megjithatë nga pikëpamja e ekzistencës së normës, ajo tashmë është e pranuar. Do të duhej vetëm thjesht që hyrjen në fuqi të ligjit ta lidhim me hyrjne në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe asgjë tjetër”, u shpreh zoti Xhafaj.

Por në një intervistë për Zërinë e Amerikës, kryetari i opozitës Lulzim Basha e quajti këtë “absolutisht të pamundur, sepse këtë e ndalon kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”. Edhe në përgjigjen zyrtare që përfaqësuesi demokrat në Komisionin e Posaçëm të Reformës, Oerd Bylykbashi i dërgoi zotit Xhafaj, theksohej se “opozita dhe ekspertët e saj janë gati të angazhohen në hartimin konsensual të këtyre ligjeve, duke nisur nga ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sigurisht në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese që sigurojnë legjitimitetin e Reformës”. Socialistët megjithatë I kujtuan opozitës se në rastin e ndërhyrjeve për dekriminalizimin, parlamenti kishte miratuar brenda së njejtës seancë si ndryshimet kushtetuese, ashtu dhe ligjin për dekriminalizimin.

Por në deklaratën e përbashkët SHBA-BE, saktësohej se të gjithë udhëheqësve politik iu ishte bërë e ditur nevoja e miratimit me shpejtësi të ligjeve në mbështetje të Reformës dhe se “kryetari i Parlamentit Ilir Meta është i gatshëm të thërrasë mbledhjen e një séance të jashtëzakonshme, me të hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese, më datë 11 gusht”.

Duke kundërshtuar thirrjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar, opozita tha se nuk kishte kohën e nevojshme për shqyrtimin e ligjit pasi projekti u ishte shpërndarë natës e së martës. Por zoti Xhafaj deklaroi se “të gjithë anëtarët kanë qenë plotëissht në dijeni që në datën 4 korrik. Të vetmet ndryshime janë ato dispozita të ndryshuara në projektin kushtetues që detyrimisht duhen reflektuar”, theksoi zoti Xhafaj, duke shtuar se “ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it kanë përgatitur tanimë projektin e plotë që përmban dhe përshtatjen e ndryshimeve kushtetuese”. Ndërkohë, në deklaratën e ambasadës amerikane dhe Delegacionit të Bashkimit europian, saktësohej se “projekti u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të Komisionit gjysmën e dytë të muajit qershor”.

XS
SM
MD
LG