Lidhje

Shkëmbime të ashpra në debatin Clinton-Trump


Kandidatët për president Hillary Clinton dhe Donald Trump u përballën të hënën mbrëma në debatin e parë mes tyre, ndërkohë që janë mbërthyer në një garë të fortë për Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump kritikoi zonjën Clinton se për 30 vjet nuk kishte bërë asgjë për krijimin e vendeve të punës. "Sekretare, ju nuk keni një plan", tha zoti Trump.

"Donaldi jeton në botën e tij," u përgjigj zonja Clinton.

I pyetur se përse nuk deklaron taksat, Donald Trump tha se ai do t'i publikojë ato kur zonja Clinton të publikojë të 33,000 emailat që janë fshirë.

Zonja Clinton pranoi se kishte bërë gabim për çështjen e serverit privat dhe se nëse do t'i jepej një shans tjetër do të vepronte ndryshe.

Sulmet kibernetike ishin një temë për të cilën u debatua. Zonja Clinton kritikoi rivalin Trump për lavdërimet ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ndaj sugjerimit të tij që Rusia të piratojë qeverinë amerikane.

Kandidatët folën për grupin Shteti Islamik. "Jam i tëri për NATO-n, por ajo duhet të fokusohet te terrorizmi," tha zoti Trump, i cili shtoi se NATO-ja duhet të dërgojë trupa në Lindjen e Mesme për të çrrënjosur ISIS-in.

Zonja Clinton tha se NATO-ja po e lufton terrorizmin, dërgoi trupa në Afganistan pikërisht për të luftuar terrorizmin.

Ajo kritikoi zotin Trump për çështjen e armëve bërthamore, që ajo tha se ai i trajton me shkujdesje. Qëndrimi i tij për armët bërthamore është thellësisht tronditës, - tha zonja Clinton. Ajo tha se SHBA do t'i respektojë marrëveshjet me aleatët.

Trump u përgjigj: Armët bërthamore janë kërcënimi më i madh ndaj vendit tonë.

Ai foli për çështjen e gjykimit dhe temperamentit që duhet të kenë kandidatët. "Unë kam gjykim shumë më të mirë se sa ajo dhe një temperament shumë më të mirë. Temperamenti im është arma ime më e fortë," tha zoti Trump.

Zoti Trump kritikoi ashpër marrëveshjen me Iranin. Është marrëveshja më e keqe që është bërë ndonjëherë në histori, tha ai.

Rivalja Clinton kundërshtoi. Ajo e quajti marrëveshjen me Iranin të suksesshme.

Clinton: Cila do të ishte alternativa e zotit Trump në këtë rast?

Trump: Për të qenë president duhet të kesh forcë dhe ajo nuk e ka këtë forcë.

Clinton: Ju flisni për forcë ndërkohë që unë kam vizituar dhe negociuar me kaq shumë vende.

Trump: Ju keni shumë përvojë, por një përvojë të keqe.

Kandidati Trump tha se zonja Clinton ka shpenzuar qindra miliona dollarë për reklama kundër meje dhe kjo nuk është e ndershme.

Zonja Clinton tha se do ta mbështeste rezultatin e zgjedhjeve. Dikush do të fitojë e dikush jo, tha ajo.

Zoti Trump tha se qëllimi i tij është që Amerika të bëhet përsëri madhështore. "Nëse ajo fiton, unë absolutisht do ta mbështes rezultatin", tha ai.

Njëqind milionë njerëz mendohet se e ndoqën debatin në Universitetin Hofstra në afërsi të Nju Jorkut. Kjo është audienca më e madhe ndonjëherë që ndjek një debat presidencial në SHBA.

Është hera e parë që amerikanët panë dy kandidatët ballë për ballë në të njëjtin podium. Sondazhet politike i jepnin zonjës Clinton një avantazh të lehtë para debatit.

Clinton dhe Trump tashmë i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre mbi shumë çështje jetike, duke përfshirë ekonominë, emigracionin, ushtrinë dhe terrorizmin, prandaj debati kishte të bënte më tepër me çështjet e temperamentit, besueshmërisë dhe shkallën e pëlqimit të votuesve për secilin kandidat.

Gruaja dhe fëmijët e zotit Trump ishin në sallë, po ashtu edhe ish-Presidenti Bill Clinton dhe vajza e çiftit Clinton, Chelsea.

Debati ndahej në gjashtë segmente 15-minutëshe. Temat kryesore ishin tre: Drejtimi i Amerikës, arritja e begatisë dhe siguria e Amerikës.

Nga tre debatet presidenciale, debati i parë është tradicionalisht më i ndjekuri, dhe zhvillohet në një moment kritik, thotë Matthew Dallek i Universitetit “George Washington”. “Tashmë rezultatet janë shumë më të barabarta se ç’pritej, kështu që debati ka peshë më të madhe për të dy kandidatët”, thotë ai.

Debatet televizive presidenciale filluan në vitin 1960, me një debat ndërmjet Richard Nixon dhe John Kennedy. Që nga ajo kohë, debatet televizive kanë ndikuar në disa gara presidenciale. “Në një vit normal, debatet janë mënyra e vetme për ta ndryshuar garën pas mbarimit të konventave të partive. Është momenti kur numri më i madh i njerëzve ndjekin garën nëpërmjet mediave,” thotë profesori për qeverisjen në Universitetin “George Mason”, Jeremy Mayer.

Mundësi dhe rreziqe

Të dy konkurrentët vuajnë prej një mospëlqimi të lartë nga votuesit dhe debatet ofrojnë mundësi të reja, por edhe rreziqe. Zoti Meyer thotë se “debati mund t’u ofrojë kandidatëve një shans të dytë për të krijuar një tjetër përshtypje, ose për të çimentuar përshtypjen negative”.

Gjatë viteve të fundit, debatet presidenciale nuk kanë patur ndikimin e zgjedhjeve të mëparshme. Profesori Wayne thotë se: “Mund të na kujtohen dy debate të rëndësishme në historinë amerikane: debati i vitit 1960, ndërmjet demokratit John Kennedy dhe republikanit Richard Nixon; si dhe ai i vitit 1976, ndërmjet republikanit Gerald Ford dhe demokratit Jimmy Carter. Në të dyja këto debate u bënë gabime dhe paraqitjet nuk ishin të duhurat, duke ndikuar për rrjedhojë në rezultatin e zgjedhjeve.”

Do të ketë gjithsej tre debate presidenciale, si dhe një përballje ndërmjet dy kandidatëve për zëvendëspresident, demokratit Tim Kaine dhe republikanit Mike Pence.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG