Lidhje

Bashkitë, nivel i ulët transparence


Në Shqipëri, një monitorim i kryer nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, tregon se niveli i transparencës së bashkive në të gjithë vendin është i ulët. Monitorimi ka vlerësuar transparencën e njësive të pushtetit vendor lidhur me kategoritë e informacionit që ato bëjnë publike pranë ambienteve të tyre pa kërkesë. Për këtë arsye, të 61 bashkitë e vendit janë monitoruar lidhur me publikimin e 50 indikatorëve që rrjedhin nga Ligji mbi Njoftimin dhe Konsultimin Publik. Raporti zbulon se Niveli i Transparencës, i matur përmes këtyre indikatorëve të identifikuara si detyrime ligjore të bashkive, është aktualisht në masën 43 për qind. “Shumica e bashkive të vendit kanë dështuar në përmbushjen e të paktën gjysmës së 50 indikatorëve të vrojtuar”, shkruhet në raport.

Të 50 indikatorët e identifikuar të nivelit të përgjithshëm të transparencës janë ndarë në shtatë kategori kryesore: E drejta e informimit; Organizimi i brendshëm; Legjislacioni; Këshilli Bashkiak; Transparenca Financiare; Konsultimi Publik dhe Informacione të tjera. Gjetjet tregojnë se bashkitë janë më transparente në lidhje me dokumentacionet dhe informacionin e lidhur me kategorinë "E Drejta e Informimit" (në masën 50 përqind) dhe "Këshilli Bashkiak" ((në masën 41 përqind) ndërsa kategoritë të cilat janë më pak transparente në nivel kombëtar janë "Transparenca Financiare", (në masën 36 përqind) "Legjislacioni" (në masën 38 përqind) dhe "Konsultimi Publik" (në masën 39 përqind).

Rezultatet e detajuara për secilën bashki paraqesin një situatë akoma më kaotike. Ashtu siç tregojnë dhe rezultatet Raportit Kombëtar të Monitorimit, “përmbushja e kërkesave të kuadrit ligjor mbi dokumentet dhe informacionin që njësitë e qeverisjes vendore duhet të bëjnë publike pa kërkesë nuk mund të justifikohet nga madhësia e bashkisë në terma popullsie apo fondesh, ose nga vendndodhja e tyre gjeografike”. Bashkia me nivelin më të lartë të transparencës rezulton të jetë ajo e Gramshit e vlerësuar në masën 65 përqind, e ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me respektivisht një nivel transparencë në masën 63 dhe 60 përqind.

Bie në sy se Bashkia më e madhe e vendit, ajo e Tiranës, renditet në vendet e fundit të listës me një nivel transparence në masën 23 përqind, ku për të paktën dy kategori treguesish “Legjislacioni” dhe “Transparenca financiare” është në nivelin e 0 përqind. Në renditjen e përgjithshme, Bashkia e kryeqytetit, ka lënë pas vetes, vetëm katër bashki të vogla si ajo e Skraparit, Kamzës, Rrogozhinës dhe Selenicës.

XS
SM
MD
LG