Lidhje

Departamenti i Drejtësisë mbështet hetimet e FBI-së


Departamenti i Drejtësisë thotë se po punon me FBI-në për të kryer “në mënyrë sa më të efektshme dhe të shpejtë” hetimet që janë rihapur mbi llogarinë e emaileve të ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton. Drejtori i FBI-së James Comey informoi të premten Kongresin se hetuesit federalë do të analizojnë një numër emailesh të zonjës Clinton të zbuluara në një kompiuter që i përkiste ish-ligjvënësit Anthony Weiner.

Ligjvënësi Weiner, tani i ndarë nga bashkëshortja Huma Abedin, ndihmëse e zonjës Clinton, akuzohet se ka dërguar mesazhe me tone seksuale në adresë të një të miture. Emailet u gjetën në një kompiuter që mund të jetë përdorur nga Weiner dhe e shoqja Abedin.

Zoti Comey tha se hetuesit kanë zbuluar emaile që mund të kenë lidhje me hetimet e mëparshme mbi serverin personal të zonjës Clinton kur ishte sekretare shteti.

FBI-ja e mbylli përkohësisht hetimin ndaj zonjës Clinton në korrik. Vetë zoti Comey pat thënë se ish-Sekretarja e Shtetit ishte treguar shumë e pakujdesshme në komunikimet me email, por nuk kishte kryer akte penale.

Zonja Clinton vuri në pikëpyetje motivet e rihapjes së hetimit kur foli dje në një aktivitet fushate në Ohajo:

“Së pari u drejtohem të gjithë atyre që janë të shqetësuar për mënyrën se si e kam përdorur serverin e emaileve. E kuptoj shqetësimin tuaj dhe siç e kam thënë, nuk do të justifikohem. E kam thënë që bëra gabim dhe jam penduar. Tani siç duket ata duan të analizojnë emailet e një prej ndihmësve të mi; le t’i analizojnë, patjetër; unë mendoj se do të arrijnë në të njëjtin përfundim që arritën vjet. Nuk ka akte penale”.

Kandidati republikan për president, Donald Trump e përshëndeti vendimin e drejtorit të FBI-së, duke e quajtur një akt shumë të guximshëm:

“Ky është skandali më i rëndë që nga skandali Watergate. Hillary Clinton do të fajësojë këdo tjetër për problemet e saj me ligjin, por këtë situatë e ka shkaktuar vetë, nuk ka kë fajëson tjetër, përveç vetes”.

Deri tani drejtori i FBI-së nuk ka dhënë hollësi për përmbajtjen e emaileve që u bënë shkak për rihapjen e çështjes kaq pranë zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG