Lidhje

TI shqetësim për konflikt interesi në administratën Trump


Transparency International
Transparency International

Organizata kundër korrupsionit me seli në Berlin “Transparency International”, thotë se është e shqetësuar se akuzat për konflikte interesi dhe nepotizëm në administratën e Presidentit Trump mund të dëmtojnë perceptimin ndërkombëtar lidhur me aftësinë e Amerikës që të vazhdojë të shërbejë si simbol i përpjekjeve kundër korrupsionit në mbarë botën.

Organizata anti-korrupsion me seli në Berlin i artikuloi me kujdes, por qartë shqetësimet për disa shenja që ajo vëren tek administrata e re amerikane:

“Shqetësimi ynë ka të bëjë me përqëndrimin e pushtetit, me konfliktin e interesit që nuk po trajtohen siç duhet, me nepotizmin dhe qëndrimin ndaj shtypit. Pra këto janë ato gjëra që duhet t’i shikojmë me kujdes në të ardhmen, për të përcaktuar nëse vendi do të ketë rënie në renditje.”

Presidenti Donald Trump u zotua gjatë fushatës se “do ta thajë moçalin” e Uashingtonit, se do t’ua marrë pushtetin politikanëve me lidhje mes tyre dhe do t’ia kthejë atë popullit.”

Por vendimi i zotit Trump për të emëruar dhëndrrin e tij si këshilltar të afërt dhe akuzat për konflikt interesi kanë bërë që media amerikane t’i trajtojë këto raste me sy hetues dhe kjo, thotë “Transparency International”, mund të dëmtojë imazhin e Amerikës si udhëheqëse botërore e luftës kundër korrupsionit.

“Amerika ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe të suksesshëm, por ajo mund të vazhdojë ta bëjë këtë, vetëm nëse ka autoritetin moral, duke ruajtur fillimisht standardet brenda vendit; nëse niveli i tyre bie, kjo do të jetë problem.”- tha zoti Barrington.

Transparency thotë se tani për tani nuk vihen re shenja korrupsioni dhe se të emëruarit e zotit Trump për postet e kabinetit, janë duke e kaluar procesin e konfirmimit. Mes personave që është duke u shqyrtuar më me kujdes, është i emëruari për Sekretar Shteti, Rex Tillerson.

“Mendoj se Rex Tillerson ka bërë punë të mirë, duke hequr dorë menjëherë nga aksionet tek kompania Exxon, për të shmangur konfliktin e interesit. Zyra qeveritare e Etikës, e cila këshillon Presidentin dhe të emëruarit e tij për këto çështje, e nxori figurën e tij të pastër relativisht shpejt. Por ka ende pikëpyetje për të emëruarit e të tjerë”.

Për udhëheqësit botërorë që përpiqen të ndërtojnë marrëdhënie me Presidentin e ri, perceptimet për mundësinë e korrupsionit në Shtetet e Bashkuara në këtë fazë, nuk janë përparësi e tyre.

XS
SM
MD
LG