Lidhje

Rama shkarkon Ministrin e Brendshëm Tahiri

  • Armand Mero

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama i ka komunikuar sot largimin nga detyra ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Për këtë vendim, nuk ka patur ende asnjë njoftim zyrtar, sikundër dhe për motivet. Por burime qeveritare kanë shpjeguar se kjo lëvizje pritet të pasohet dhe me largimin e disa ministrave të tjerë. Opozita e cila prej më shumë se tre javësh këmbëngul në krijimin e një qeverie teknike, i mëshoi sërish pasdte këtij kushti duke u shprehur se protesta nuk mjaftohet me “koka turku”, ndonëse e cilësoi si fitore të saj, shkarkimin e ministrit Tahiri

I porsa kthyer nga vizita zyrtare në Gjermani, kryeministri Edi Rama ka thirrur në zyrën e tij ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për t’i komunikuar largimin nga detyra. Burime si pranë qeverisë ashtu dhe pranë vetë ministrit, e konfirmuan këtë lëvizje të papritur. Ndonëse ka qenë në qendër të kritikave, vecanërisht nga opozita, ministri Tahiri është marrë gjithnjë në mbrojtje të hapur nga kryeministri dhe është lëvduar prej tij për punën e bërë.

Ende nuk ka asnjë asnjë njoftim zyrtar për motivet e kësaj lëvizje, e cila duket se do të pasohet dhe me ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar. Të paktën sipas burimeve pranë qeverisë, të hënën kryeministri Rama pritet të mbledhë kryesinë e partisë socialiste, për të diskutuar lëvizjet e mundshme në kabinetin e tij.

Largimi i ministrit Tahiri dhe ndryshimet e pritshme, vijnë në një moment kur opozita po kërkon me këmbëngulje krijimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershorin e ardhshëm. Opozita ka akuzuar qeverinë për lidhje me trafikun e drogës, për shkak të përhapjes së fenomenti të kultivimit të marijuanës, duke këmbëngulur se me paratë e pista nga narkotrafiku, qeveria do të blejë votat e shqiptarëve. Dhe ministri Tahiri, është njeriu që sipas saj, është përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar.

Pas tre javësh protesta para selisë së Këshillit të ministrave, dje mbi 20 parti opozitare njoftuan se nuk do të rregjistrohen në zgjedhje, pa u arritur më parë krijimi i një qeverie teknike. Lëvizjet e kryeministrit duket se për momentin nuk do të kenë ndonjë efekt në qëndrimin e ardhshëm të opozitës. Në fjalën e tij sot pasdite kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi se “nuk jemi mbledhur këtu për koka turku, por për të siguruar për shqiptarët sot e mot dhe brezat që vijnë për të garantuar standartin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe zgjedhje të lira e të ndershme me një kryeministër garant të krimit e drogës nuk mund të ketë. Ndaj, çfarëdo prapraskenash dhe thashethemesh të kurdisin, mesazhi ynë është një e i pandryshuar. Qëndresa jonë është e vendosur deri në krijimin e një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike që do të bëjë detyrat para shqiptarëve dhe para Europës”.

Megjithatë, lajmin e largimit të ministrit të Brendshëm, zoti Basha e quajti një sukses të protestës. “Sido që ta shtjellin e përcjellin lajmin, fakti është se për më shumë se 3 vite opozita ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm për shkak të lidhjeve të tij me krimin në mënyrë institucionale dhe Rama nuk ka dëgjuar. Prej më shumë se dy vitesh ja kërkon dhe partneri në koalicion, ky jo vetëm që nuk ja vuri veshin por i hoqi dhe ministrinë e Drejtësisë. Prej më shumë se 6 muajsh ja kërkuan dhe partnerët tanë strategjik e ky u tall e tallet me ta. Dhe nëse është i vërtetë largimi i Tahirit, kjo është fitorja vetëm e juaja dhe e bashkimit qytetar dhe prova e qartë se forca e vetme e ndryshimit është bashkimi qytetar dhe kjo lëvizije popullore”, u shpreh zoti Basha në fjalën e tij para disa qindra protestuesve që qëndrojnë në çadrën e ngritur para kryeministrisë.

Largimi i zotit Tahiri, është i shtati, në radhën e ministrave që kanë lënë kabinetin e kryeministrit Edi Rama. I pari ka qenë ministri për marrëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi i cili dha dorëheqjen në gusht të vitit 2014 për arsye personale, ndërsa pak javë më parë ishte ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i cili u shkarkua nga detyra.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG