Lidhje

Hungari, protesta kundër projektligjit për universitetet e huaja


Në Hungari, ligjvënësit e partisë së djathtë Fidesz të Kryeministrit Viktor Orban miratuan dje projektligjin, që sipas kritikëve mund të detyrojë mbylljen e një universiteti ndërkombëtar, të themeluar nga filantropi miliarder George Soros në Budapest.

Miratimi i ligjit shkaktoi protesta jashtë kampusit të Universitetit të Evropës Qendrore, një institucion në gjuhën angleze, ku studiojnë rreth 1,400 të rinj nga më shumë se 100 vende.

"Jam në Budapest prej pesë vjetësh, e dua këtë vend, e dua këtë qytet dhe dua të qëndroj këtu. Dua gjithashtu lirinë time akademike," thotë Imogen Bailey.

Projekt-ligji kërkon që të 28 universitetet e huaja, të cilët funksionojnë në Hungari, të kenë kampuse edhe në vendet e tyre. Universiteti i Evropës Qendrore, i themeluar pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, është i vetmi kolegj ndërkombëtar pa degë jashtë vendit.

Ligji i ri kërkon gjithashtu që Uashingtoni dhe Budapesti të arrijnë brenda pak muajsh një marrëveshje për operacionet universitare.

Pa një marrëveshje të tillë, ligji e ndalon universitetin të regjistrojë studentë të rinj pas 1 janarit, 2018, dhe e detyron atë të mbyllet në vitin 2021.

Një diplomat i lartë i ambasadës amerikane në Budapest shprehu mbështetje për universitetin dhe tha se ishte i zhgënjyer nga ligji i ri.

Kryeministri Orban, i cili shihet në shumë vende të Evropës dhe më gjerë si autokrat dhe ksenofob, prej kohësh e konsideron liberalin Soros si një armik ideologjik.

Ai është kritik i hapur i politikave të migrimit të Bashkimit Evropian. Orban është shprehur me forcë kundër sanksioneve evropiane ndaj Rusisë, të vendosura pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska në vitin 2014.

Rektori i Universitetit të Evropës Qendrore Michael Ignatieff tha se do t’i kërkojë presidentit të vendit Janos Ader ta rishikojë ligjin, që ai e sheh si shkelje të kushtetutës hungareze.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG