Lidhje

Komuniteti bektashi shqiptaro-amerikan në Miçigan feston Ditën e Novruzit 


Në teqenë e parë dhe të vetme shqiptare në Shtetet e Bashkuara, e cila ndodhet në Miçigan, mbrëmë u shënua dita e Sulltan Novruzit. Të pranishmit u lutën për paqe, mbarësi e mirësi, por folën edhe mbi rëndësinë e thellimit të lidhjeve midis shqiptarëve dhe ruajtjen e kulturës dhe traditave, sidomos ato të harmonisë fetare. Ceremonisë së këtij viti iu bashkua edhe trashëgimtari i Fronit Mbretëror, Prince Leka II.

Komuniteti bektashi shqiptaro-amerikan në Miçigan feston Ditën e Novruzit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Shqiptaro-amerikanët e komunitetit bektashi dhe pjesëtarë të besimeve të tjera fetare në Miçigan, u bënë bashkë për të festuar Ditën e Novruzit dhe ditëlindjen e Imam Aliut.

Në ceremoninë e një prej festave më të rëndësishme të këtij besimi, mori pjesë edhe trashëgimtari i Fronit Mbretëror, Princ Leta II.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai tha se ndihet krenar kur sheh komunitetin shqiptaro-amerikan që feston i bashkuar, pa marrë parasysh përkatësinë fetare.

Krahas mesazhit për unitet, Princ Leka II u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve që të integrohen plotësisht në shoqërinë amerikane, sepse sipas tij, kjo është mënyra më e mirë që ky komunitet të ndihmojë vendet e origjinës.

“Në këtë moment unë uroj që komuniteti shqiptaro-amerikan të fillojë të përforcojë pozicionin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ne kemi nevojë për miq të fortë në Amerikë, kemi nevojë për një lobim aktiv, që është në shërbim të kombit. Në Shqipëri jemi duke përparuar. Por kemi nevojë për një orientim të drejtpërdrejt, që është në frymën demokratike ashtu siç e ka Amerika”, tha trashëgimtari i Fronit Mbretëror.

Kjo është vizita e parë e trashëgimtarit të familjes mbretërore në Teqenë e vetme shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Paraardhësi i tij, Mbreti Leka I kishte bërë një vizitë të ngjashme më 1979.

Prijësi i Teqesë, Baba Eliton Pashaj tha se ndihet i lumtur që po vazhdojnë lidhjet me familjen mbretërore shqiptare, e cila , sipas tij ka meritën që sot në Shqipëri ndodhet Kryegjyshata Botërore Bektashiane.

“Familja mbreterore për bektashinjtë është një bekim. Bekim i vërtetë sepse falë saj neve sot kemi qendrën e bektashinjve në Tiranë, falë kërkesës së dërguar nga Kryegjyshi i asaj kohe, të cilën Mbreti Zog e ka pritur me kënaqësi duke i dhënë strehim. Aty ku sot ndodhet kryegjyshata, në Tiranë, është dhuratë pikërisht e qeverisë së drejtuar nga Mbreti Ahmet Zogu”, thotë Baba Elitoni për Zërin e Amerikës.

Dita e Novruzit njihet ndryshe edhe si dita e Rilindjes së madhe.

Në lutjet e darkës, vend të rëndësishëm zë edhe atdhedashuria.

“Patjetër që besimi luan një rol të jashtëzakonshëm në ndjenjat e atdhedashurisë. Teqeja bektashiane vazhdon në të njëjtin nivel, si edukimin fetar ashtu edhe edukimit e të rinjve me dashurinë për atdheun tonë.// Një teqe që i ka shërbyer të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, pa dallim se nga vinin, pa dallim zone, pra pa dallim se kush ishin”, shpjegon Baba Elitoni.

Almo Regazi është një nga besimtarët e rinj të kësaj teqeje. Ai tregon se emigroi me familjen e tij në Shtetet e Bashkuara në moshën 4 vjeçare dhe se angazhimi në teqe e ndihmoi ta ruajë gjuhën dhe kulturën e të parëve.

“Këtu në Amerikë njerëzit duhet të punojnë shumë që të mbijetojnë dhe të sigurojnë jetën për veten e tyre. Gjatë këtij procesi ndonjëherë është e vështirë të ruash gjuhën dhe kulturën. Ky është një vend ku shqiptarët mund të mblidhen, bashkohen dhe ruajnë gjuhën e tyre, fenë e tyre, kulturën e tyre. Unë për këtë arsye vij këtu. Ndjehem shumë mirë, më bëhet qejfi kur shqiptarët, sidomos në moshë më të madhe, më thonë sa mirë flet shqip… më mbushet shpirti”, thotë ai.

Sipas Baba Elitonit, kjo Teqe u shërben rreth 25 mijë familjeve shqiptaro-amerikane në Miçigan.

Teqeja është themeluar në vitin 1954 nga Baba Rexhepi, dy vite pasi emigroi nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara, për të shpëtuar nga përndjekja e komunizmit.

XS
SM
MD
LG