Lidhje

Zyrtari amerikan, James Rubin: Kina shpenzon miliarda dollarë për dezinformim


James Rubin
James Rubin

James Rubin, koordinatori i Qendrës për Angazhim Global në Departamentin e Shtetit, një qendër që drejton përpjekjet amerikane jashtë vendit, kundër dezinformimit, thotë se Kina dhe Rusia po bëjnë fushata të fortë në këtë drejtim, në të gjithë botën. Një nga rajonet që ka qenë shpesh objektiv i dezinformimit është Ballkani. Gjatë një interviste me Zërin e Amerikës Nike Ching, zoti Rubin ndalet tek përpjekjet e Uashingtonit për të siguruar atë që e quajti integritet të informacionit në rajonin e Ballkanit, që ngjashëm me integritetin territorial, siç tha ai, nuk duhet të cënohet.

Zyrtari amerikan, James Rubin: Kina shpenzon miliarda dollarë për dezinformim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Qendra për angazhim Global në Departamentin e Shtetit u krijua për drejtuar përpjekjet e qeverisë amerikane në ekspozimin dhe kundërshtimin e propagandës së huaj dezinformuese, shtetërore ose jo, që synon minimin e stabilitetit të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Drejtori i kësaj qendre, diplomati me përvojë James Rubin thotë se shpesh, një gazetar afrikan, aziatik, apo një gazetar në Amerikën Latine, lexon informacione që kanë në bazë pikëpamjen kineze mbi botën, ku shumica e gjërave raportohen me saktësi, por kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, theksohen gjithë lajmet e këqija , ndërsa për Kinën, vetëm lajmet e mira.

“Kjo është një pamje e shtrembëruar e realitetit. Për ne nuk përbën asnjë problem që Kina dhe Rusia të tregojnë këndvështrimin e tyre, apo që të gjitha vendet e tjera të paraqesin këndvështrimin e tyre. E rëndësishme është që burimi i lajmit të jetë transparent, të thuhet kush qëndron pas dhe të jetë tregu mediatik ai që vendos. Ne në Qendrën për Angazhim Global, përpiqemi t’u ofrojmë prova vendeve në mbarë botën, kur integriteti i hapësirës së tyre të informacionit, cënohet. Dhe kur ndodh një gjë e tillë ne kritikojmë rusët ose kinezët publikisht. Kina shpenzon miliarda dollarë për këto projekte. Ne jemi, ndoshta pak prapa në këtë aspekt, duke parë qasjen që ata kanë siguruar në pjesën tjetër të botës”, thotë ai.

Një nga rajonet ku janë përqendruar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër dezinformimit është rajoni i Ballkanit, shpesh objekt i dezinformatave ruse. Uashingtoni ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Maqedoninë e Veriut, për të bashkëpunuar në këtë drejtim. Zoti Rubin thotë se nënshkrimi i këtij dokumenti, siguron angazhimin e këtij vendi për të trajtuar këtë problem, me të njëjtën urgjencë që Shtetet e Bashkuara e trajtojnë atë.

“Ashtu siç është i rëndësishëm integriteti territorial, edhe integriteti i informacionit është i rëndësishëm. Ajo që zbuluam është se për shkak se mediat ‘RT’ dhe ‘Sputnik’ vazhdojnë ende të transmetojnë në Serbi, kjo po përdorej për të përçarë Maqedoninë e Veriut. Na takon ne, që të punojmë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut për t'u dhënë atyre kapacitetin për të garantuar integritin në hapësirën e informacionit dhe për t’u treguar kur Rusia vepron në prapaskenë, duke ndërhyrë në hapësirën e tyre të informacionit. Të përpiqemi t'u japim atyre mjete për të analizuar këtë ‘helmim’ të hapësirës së tyre të informacionin. Pra, kjo do të thotë të ndash praktikat më të mira për mediat e lira, kontrollin e fakteve, e ndërtimin e aftësive ripërtëritëse”.

Mali i Zi gjithashtu ka ngritur shpesh alarmin për të fushata deziformimi. Vendi ndodhet përpara zgjedhje të parakohshme parlamentare që mbahen këtë të dielë, më 11 qershor. Zoti Rubin thotë se deri tani nuk ka informacione për përpjekje të aktorëve të huaj për të ndërhyrë në procesin zgjedhor.

“Ajo që di është se Mali i Zi ka pasur një marrëdhënie politike me Serbinë. Serbia është i vetmi vend në Ballkan ku ‘RT’ dhe ‘Sputnik’ transmetojnë ende. Serbia ka gjithashtu versione në gjuhën serbe të ‘RT-së’ dhe ‘Sputnik-ut’. Pra, nëse jetoni në Mal të Zi, mund të lexoni dezinformatat ruse në serbisht, që vijnë nga Serbia. Pra në vetvete më shumë një sfidë që lidhet me ndërhyrjen nga jashtë në zgjedhje, është një sfidë për të bërë të mundur që ‘RT’ dhe ‘Sputnik’, të mos jenë në gjendje të shkaktojnë aq shumë dëme brenda Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut”.

Zoti Rubin foli mbi nevojën e krijimit të një lloj koalicioni kundër cënimit të hapësirës së informacionit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të ndihmojë edhe vende të tjera si Bullgarinë dhe Sllovakinë, që të kenë në dispozicion mjete analitike për të hetuar shkeljet e hapësirës së informacionit, pasi siç tha ai, dobësitë e një vendi, mund të ndikojnë tek vendet e tjera.

Intervista me diplomatin amerikan James Rubin

Zëri i Amerikës: Gjatë një seance dëgjimore në Senat (16 maj), Sekretari Blinken i tha Senatorit Murphy, se Qendra Globale e Angazhimit po punon me njësinë që trajton çështje mbi Kinën, në Departamentin e Shtetit, për të kundërshtuar dezinformimin që vjen nga ky vend. Sekretari Blinken tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara, po u vënë vendeve të tjera në dispozicion agjenci si ‘Associated Press’, ‘Reuters’, dhe “burime të tjera objektive informacioni”. Mund të na jepni më shumë detaje lidhur me këtë?

James Rubin: Manipulimi i informacionit është një problem i madh për Shtetet e Bashkuara. Është një problem në të gjithë botën. Kemi zbuluar se në disa raste, Kina ofron shërbimin e saj të lajmeve falas, për disa organe mediatike, duke u vënë si kusht që të mos përdorin asnjë shërbim tjetër lajmesh, nëse marrin falas shërbimin kinez. Ne po përpiqemi ta kundërshtojmë pikërisht këtë, atje ku ndodh. Sepse problemi qëndron se shpesh, një gazetar afrikan, një gazetar aziatik, apo një gazetar në Amerikën Latine, lexon informacione që janë ndërtuar mbi pikëpamjen kineze mbi botën, në të cilin shumica e gjërave raportohen me saktësi, por kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, theksohen të gjitha lajmet e këqija. Kur bëhet fjalë për Kinën, vetëm lajme të mira. Kjo është një pamje e shtrembëruar e botës. Për ne nuk përbën asnjë problem që Kina të tregojë këndvështrimin e saj, që Rusia të tregojë këndvështrimin e saj, apo që të gjitha vendet të paraqesin këndvështrimin e tyre. E rëndësishme është burimi i lajmit të jetë transparent, të thuhet kush qëndron pas dhe të jetë tregu mediatik ai që vendos. Problemi është kur mbështetja kineze nuk është transparente, kur ndodh në prapaskenë. Dhe ne në Qendrën për angazhim Global përpiqemi t’u ofrojmë prova vendeve në mbarë botën, kur integriteti i hapësirës së tyre të informacionit, cënohet. Ashtu siç nuk duhet cënuar integriteti territorial, nuk duhet cënuar edhe integriteti i hapësirës së informacionit. Dhe kur ndodh një gjë e tillë, ne kritikojmë rusët ose kinezët, publikisht. Kina shpenzon miliarda dollarë për këto projekte. Ne jemi, ndoshta pak prapa në këtë aspekt duke parë qasjen që ata kanë siguruar në pjesën tjetër të botës.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar gjithashtu një memorandum mirëkuptimi me Maqedoninë e Veriut për të bashkëpunuar në luftën kundër dezinformimit, ose "manipulimit të informacionit". Çfarë po përpiqen të arrijnë Shtetet e Bashkuara? A ka marrëveshje të ngjashme si kjo edhe me vende të tjera?

James Rubin: Ne filluam me Maqedoninë e Veriut, pasi u bë e qartë se ata janë të shqetësuar se hapësira e tyre e informacionit po shkelet. Ashtu siç është i rëndësishëm integriteti territorial edhe integriteti i informacionit është i rëndësishëm. Dhe ajo që zbuluam është se për shkak se ‘RT’ dhe ‘Sputnik’ ekzistonin ende në Serbi, kjo po përdorej për të përçarë Maqedoninë e Veriut. Pra, ajo që bëmë është të biem dakord për një Memorandum Mirëkuptimi me qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Dhe ajo që bëjnë këto memorandume është të sigurojnë vullnetin e një vendi tjetër, për të trajtuar një problem me të njëjtën urgjencë që ne e trajtojmë atë. Nuk është zgjidhje për problemin është një demonstrim i vullnetit. Por na takon ne që të punojmë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut për t'u dhënë atyre kapacitetin për të garantuar këtë integritet të hapësirës së informacionit, të përpiqemi të tregojmë se kur Rusia po vepron në prapaskenë, duke ndërhyrë në hapësirën e tyre të informacionit. Të përpiqemi t'u japim atyre mjete për të analizuar këtë ‘helmim’ të hapësirës se tyre te informacionin. Pra, kjo do të thotë të ndash praktikat më të mira për mediat e lira, kontrollin e fakteve, e ndërtimin e aftësive ripërtëritëse. Partnerët tanë në Maqedoninë e Veriut apo në vende të tjera si në Bullgari e Sllovaki, të gjithë na kanë thënë se e njohin këtë si një problem tejet madhor, me të cilin po përballen. Ajo që ne duam të bëjmë është të punojmë me ta, për t'u siguruar që kur Rusia ose Kina, apo ndonjë vend tjetër, ndërhyn në hapësirën e informacionit, kjo të jetë transparente, të dihet burimi, t’u bëhet e dukshme këtyre vendeve se kush qëndron në prapaskenë. Nuk është gabim që vendet të paraqesin këndvështrimin e tyre, por nuk duhet të fshihet më. Duhet të jetë diçka transparente.

Zëri i Amerikës: A do të ketë marrëveshje të ngjashme me vendet e tjera të Ballkanit?

James Rubin: Nuk kemi një plan për nënshkrim e memorandumeve me vende të tjera, por kemi të njëjtin synim të planifikuar me vendet e tjera. Në takimet e mia me autoritetet në Bullgari e Sllovaki, ata shprehën interes për të punuar me ne, për të ndërtuar aftësi të ngjashme me ato që kemi në Qendrën e Angazhimit Global. Ne zhvillojmë mjete analitike për të hetuar shkeljet e hapësirës së informacionit dhe ne duam që vendet e tjera të kenë mjete të ngjashme. Pra, ne do t'u japim atyre ndihme teknike, do t'u ofrojmë mbështetje, në mënyrë që të gjithë të kemi një pikëpamje të përbashkët operacionale. Ne nuk duam që një vend të jetë më i dobët se të tjerët, kur bëhet fjalë për hapësirën e informacionit. Sepse në epokën moderne, kur hapësira e informacionit të një vendi cënohet, kjo mund të ndikojë edhe vendet e tjera. Pra është një mënyrë për të ndërtuar një lloj koalicioni kundër cënimit të hapësirës së informacionit.

Zëri i Amerikës: Në prill ju vizituat Malin e Zi dhe paralajmëruat në atë kohë, për problemin e madh me të cilin përballet ky vend sa i takon dezinformimit. Mali i Zi, do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë të dielë, më 11 qershor. A shihni ndonjë tregues apo dëshmi se aktorë të huaj po përpiqen të ndërhyjnë në politikën e brendshme të Malit të Zi?

James Rubin: Aktualisht nuk kam asnjë informacion. Ajo që di është se Mali i Zi ka pasur një marrëdhënie politike me Serbinë. Serbia është i vetmi vend në Ballkan ku ‘RT’ dhe ‘Sputnik’ transmetojnë ende. Serbia ka gjithashtu versione në gjuhën serbe të ‘RT-së’ dhe ‘Sputnik-ut’. Pra, nëse jetoni në Mal të Zi, mund të lexoni dezinformatat ruse në serbisht, që vijnë nga Serbia. Pra në vetvete më shumë një sfidë që lidhet me ndërhyrjen nga jashtë në zgjedhje, është një sfidë për të bërë të mundur që ‘RT-ja’ dhe ‘Sputnik-u’, të mos jenë në gjendje të shkaktojnë aq shumë dëme brenda Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut.

Zëri i Amerikës: Kina është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet në Kanada. Ndërsa Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt zgjedhjeve presidenciale, sa jeni të shqetësuar dhe sa nga afër po monitoron Qendra për Angazhim Global fushatat e huaja të dezinformimit, përpjekjet për ndërhyjë në politikën e brendshme amerikane?

James Rubin: Në fakt mandati i Qendrës për Angazhim Global shtrihet jashtë vendit. Është Departamenti e Drejtësisë, FBI-ja, Departamenti i Sigurisë Kombëtare, është detyra e tyre të sigurohen që të mos ketë ndërhyrje nga jashtë në zgjedhjet tona. Qendra për Angazhim Global ka si detyrë të përpiqet të luftojë dezinformimin dhe manipulimin e informacionit në Afrikë, Azi, Evropë, në Amerikën Latine. Janë strukturat e brendshme të merren me zgjedhjet amerikane. Por unë jam gjithmonë i shqetësuar kur të huajt përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhje, kudo që kjo ndodh.

Zëri i Amerikës: Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se Departamenti i Shtetit ka mbajtur seanca mbi inteligjencën artificiale dhe ka diskutime për përfshirjen e saj në politikën e jashtme amerikane. A po e përdor Qendra për Angazhim Global inteligjencës artificiale për të luftuar dezinformacionin e huaj?

James Rubin: Jo për momentin, ne nuk kemi përdorur mjete të inteligjencës artificiale. Inteligjenca artificiale sa është një mundësi aq është edhe një problem. Çdo teknologji e re ka avantazhe të mëdha dhe ndonjëherë disavantazhe. Ne e kuptuam këtë me mediat sociale, apo revolucionin dixhital. Në rastin e inteligjencës artificiale ajo që më shqetëson është kur vendet e tjera që shpërndajnë dezinformata e gënjeshtra, përdorin manipulimin e informacionit, përdorin inteligjencën artificiale për të përkthyer menjëherë në njëqind gjuhë. Kjo është një gjë që normalisht kërkon me qindra e qindra njerëz për ta bërë. Është shumë e vështirë për t’u bërë. Ajo kërkon përshtatje kulturore. Është e mundur që kundërshtarët tanë po i përdorin këto mjete për të bërë përkthime në shumë gjuhë dhe në çast. Ky mund të jetë një problem. Mënyra më e mirë për t'u marrë me inteligjencën artificiale është që të punojmë me aleatët tanë evropianë, për krijimin e mjeteve që bëjnë verifikimin në vend dhe për t'i bërë kompanitë, vullnetarisht, të tregojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale mund të bëhet në mënyrë të vërtetuar dhe mbi këtë gjë po punon Sekretari Blinken e persona të tjerë. Ajo që na shqetëson është kur inteligjenca artificiale përdoret, në mënyrë të fshehtë, në prapaskenë, me qëllimin për të raportuar ngjarje të rreme në mbarë botën.

Zëri i Amerikës: Pra, a mund të themi se qendra juaj e ka përjashtuar për momentin përdorimin e inteligjencës artificiale për t’iu kundërvenë dezinformimit?

James Rubin: Nuk e kam parë të përdoret në punën që bëj. Nuk mendoj se do të më ndihmojë të bëj punën time, sepse detyra ime është zbulimi i asaj që qëndron në parapaskenë. Jam i sigurt se ka njerëz në Departamentin e Shtetit e në qeveri që do të përfitojnë nga kjo teknologji.

Zëri i Amerikës: A do të nxjerrë Qendra për Angazhim Global ndonjë raport vjetor gjatë këtij viti?

James Rubin: Ne raportojmë në mënyrë të rregull në Kongres. Kemi lëshuar kohët e fundit një raport mbi Iniciativën për Drithin të Detit të Zi, për të cilën Rusia është përpjekur të mashtrojë botën rreth shkaqeve që kanë krijuar krizën ushqimore. Rusia ka frenuar drithin, ka rritur çmimet dhe është përpjekur të fitojnë para nga kjo. Ka bllokuar anijet që lundrojnë në Deti i Zi dhe kanë bërë që çmimet e ushqimeve të rriten me qëllim përfitimi. Ne e kemi kritikuar një gjë të tillë në raport.

Zëri i Amerikës: Një pyetje të fundit zoti Prigozhin, kreu i grupit të mercenarëve rusë ‘Wagner’, ka kritikuar hapur udhëheqësit e lartë rusë. A e shihni këtë si një shenjë se janë dobësuar aftësitë e Presidentit rus Putin për të patur kontroll mbi informacionin?

James Rubin: Ajo që mund të them për zotin Prigozhin është se ndonjëherë ai thotë të vërtetën, por ka raste që ai i ekzagjeron gjërat. Mendoj se ajo çka reflekton qëndrimi i tij është vështirësia që ka pasur Rusia në arritjen e objektivave të saj. Rusia ka dështuar të arrijë objektivat e saj në Ukrainë. Kjo gjë bëhet më e dukshme çdo ditë dhe të gjithë ata kritikojnë njëri-tjetrin sepse nuk kanë arritur objektivat e tyre.

XS
SM
MD
LG