Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkon të premten në Kinë, një udhëtim që u anulua në muajin shkurt pasi një balonë kineze e dyshuar për spiunazh fluturoi mbi territorin e Shteteve të Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Nike Ching, pritshmëritë janë të ulta që vizita e zotit Blinken të sjellë përmirësim në marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve.
Një ditë përpara se ushtria amerikane të rrëzonte një balonë spiune kineze, Sekretari i Shtetit Antony Blinken shtyu takimet e tij në Pekin ndërsa marrëdhëniet SHBA-Kinë arritën një nivel të ri të ulët.
“Vendimi i Kinës për të fluturuar një balonë spiune mbi Shtetet e Bashkuara është i papranueshëm dhe i papërgjegjshëm. Kjo është arsyeja. Është shkelje e sovranitetit tonë dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar”, tha Sekretari Blinken.
Disa muaj më pas, kryediplomati amerikan tha se është thelbësore që të dy vendet të mbajnë linja të rregullta komunikimi.
“Është në interes të të dy vendeve, sepse gjëja më e rrezikshme është të mos komunikosh dhe si rezultat të kesh një keqkuptim, një keqkomunikim”.
Pentagoni gjithashtu dëshiron që Pekini të mbajë të hapur një linjë telefonike ushtarake, në mënyrë që gjeneralët të mund të bisedojnë në rast incidentesh, si rasti i fundit kur një anije kineze i preu rrugën një anije amerikane në ngushticën e Tajvanit.
Analistët thonë se pavarësisht tensioneve, të dy qeveritë po përpiqen të organizojnë një takim të nivelit të lartë nga fundi i vitit.
“Të dy vendet po punojnë për një takim të mundshëm mes zotit Biden dhe zotit Xi Jinping gjatë takimit të APEC-ut në San Françisko në nëntor dhe për të patur një takim të suksesshëm, nëse kjo është me të vërtetë në axhendë, duhet të ketë shumë përgatitje”, thotë për Zërin e Amerikës Bonnie Glaser me Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara.
Ndërsa Uashingtoni po përpiqet ta riangazhojë Pekinin në çështje si lufta kundër drogës dhe ndryshimet klimatike, kritikët në Kongres janë skeptikë se të dy vendet mund të bëjnë ndryshime thelbësore në përmirësimin e marrëdhënieve të tyre.