Lidhje

SHBA paralajmëron për pasoja në përgjigje të sulmeve në Detin e Kuq


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në përpjekjet e tij të fundit diplomatike për të frenuar përhapjen e luftës në Gazë, paralajmëroi për “pasoja” pasi rebelët Houthi me bazë në Jemen ndërmorën sulmin e tyre më të madh ajror në Detin e Kuq.

“Ne pamë dje sulmin më të madh me raketa pa pilot”, u tha zoti Blinken gazetarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Bahreinit të mërkurën. “Këto sulme janë ndihmuar dhe nxitur nga Irani me teknologji, pajisje, inteligjencë, informacion dhe ato kanë ndikim në jetën e njerëzve.”

Më shumë se 20 vende, përfshirë Bahreinin, janë zotuar të ofrojnë siguri për transportin detar në Detin e Kuq, tha zoti Blinken pas bisedimeve me mbretin e Bahreinit, Hamad bin Isa Al Khalifa.

“Nëse këto sulme vazhdojnë, siç bënë dje, do të ketë pasoja”, shtoi Sekretari Blinken. Ai i kërkoi Iranit të ndalojë ndihmën për groupin Houthi, por nuk pranoi të shtjellojë se çfarë pasojash konkrete do të kishte.

Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani thanë se sulmet vënë në shënjestër anije që kanë lidhje me Izraelin ose që kanë destinacion Izraelin dhe se ata po veprojnë në solidaritet me palestinezët në Rripin e Gazës.

Gjithashtu, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi të mërkurën sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit ndaj anijeve që lundrojnë përmes Detit të Kuq dhe bëri thirrje që të ndalen menjëherë.

“Sulmet e përsëritura të Houthive ndaj anijeve ndërkombëtare nuk janë vetëm një kërcënim sigurie, por një kërcënim ekonomik, duke rritur çmimet e ushqimit, ilaçeve dhe energjisë”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Në një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit kërkuan një ndalje të menjëhershme të sulmeve, duke thënë se ato pengojnë tregtinë globale dhe "dëmtojnë të drejtat dhe liritë e lundrimit, si dhe paqen dhe sigurinë rajonale".

Ky zhvillim vjen si përgjigje ndaj një sërë sulmesh me raketa, dronë dhe militantë që u afrohen anijeve me varka. Sulmet kanë ndërprerë udhëtimin detar përmes një rruge kryesore ujore që lidh detin Arab dhe Mesdheun.

Njëmbëdhjetë nga 15 vendet anëtare të këshillit e mbështetën rezolutën dhe asnjë nuk votoi kundër, por Rusia, Kina, Algjeria dhe Mozambiku abstenuan.

"Kjo nuk është një çështje e garantimit të sigurisë së lundrimit në Detin e Kuq, por një përpjekje për të legjitimuar veprimet e këtij koalicioni në prapavijë dhe për të arritur nga Këshilli i Sigurimit një bekim të pafund të tij", tha i dërguari rus Vassily Nebenzia, duke iu referuar një koalicioni detar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që u krijua për të mbrojtur anijet e Detit të Kuq nga Houthitë.

XS
SM
MD
LG