Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të takohet me diplomatin veteran kinez Liu Jianchao në Uashington të premten, një ditë para zgjedhjeve në Tajvan. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të paralajmërojnë Kinën që të mos përdorë zgjedhjet si pretekst për paqendrueshmëri.
Komunikimi midis dy ekonomive më të mëdha në botë do të vazhdojë pas zgjedhjeve presidenciale dhe legjislative të Tajvanit më 13 janar, pasi zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina planifikojnë të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të javës së ardhshme në Davos të Zvicrës.
Të premten, zoti Blinken do të zhvillojë bisedime në Departamentin e Shtetit me zotin Liu, i cili drejton departamentin e marrëdhënieve me jashtë të Partisë Komuniste Kineze.
Daniel Kritenbrink, kryediplomati i Departamentit të Shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit, do t'i bashkohet takimit një orësh, sipas personave që kanë njohuri me planet për takimin.
Javën e ardhshme, Sekretari Blinken dhe Kryeministri kinez Li Qiang do të marrin pjesë në takimet vjetore ekonomike që mbahen në Davos të Zvicrës.
Bisedimet cilësohen si përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur linja të hapura komunikimi, për të menaxhuar me përgjegjësi dallimet midis dy vendeve dhe për të trajtuar një mori çështjesh.
Këto përfshijnë luftën ndaj krizës së fentanilit si dhe shqetësimet globale dhe rajonale të sigurisë. Ndër temat kryesore do të jetë Tajvani.
Uashingtoni ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj “ndërhyrjes së jashtme ose ndikimit keqdashës” në zgjedhjet e Tajvanit.
Fituesi i zgjedhjeve presidenciale të Tajvanit do të inaugurohet më 20 maj. Periudha e tranzicionit në muajt në vijim shihet si e ndjeshme në marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Tajvanit.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane u tha gazetarëve të mërkurën në mbrëmje se Pekini do të ishte “provokatori” nëse vendos t'i përgjigjet rezultateve të zgjedhjeve të Tajvanit me trysni ose ndërhyrje ushtarake.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe zgjedhjesh dhe tranzicioni, ne do të sigurojmë që kanalet e komunikimit të mbeten të hapura me Pekinin, përfshirë kanalet diplomatike dhe ato të rihapura së fundmi ndër ushtarake, në përputhje edhe me marrëdhëniet tona jozyrtare me Tajvanin”, tha zyrtari amerikan.
Një Sërë Takimesh
Gjatë kësaj jave, zyrtarët amerikanë dhe kinezë po mbajnë takime të shumta. Zëvendës këshilltari kryesor i sigurisë kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jon Finer, mbajti bisedime të gjata me zotin Liu të mërkurën.
Shtëpia e Bardhë tha se të dy palët diskutuan për hapat a mëtejshëm për çështjet që u ra dakord gjatë takimit të nivelit të lartë të nëntorit të kaluar midis presidentit Joe Biden dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping, sfidat në Lindjen e Mesme dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Zoti Finer theksoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit dhe në Detin e Kinës Jugore.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas zhvilloi bisedime virtuale të mërkurën me ministrin kinez të Sigurisë Publike Wang Xiaohong, me të cilin diskutoi luftimin e tregtimit të paligjshëm të drogave sintetike.
Marrëveshja e Shkencës dhe Teknologjisë
Në Departamentin e Shtetit, zyrtarët nga të dyja vendet diskutuan zgjatjen e Marrëveshjes së Shkencës dhe Teknologjisë SHBA-Kinë (STA), e cila do të përfundojë muajin e ardhshëm. Zyrtarët do të takohen sërish gjatë javës së 22 janarit për të diskutuar vazhdimin e marrëveshjes.
Në fund të gushtit të kaluar, Uashingtoni ra dakord të shtyjë marrëveshjen me Kinën për gjashtë muaj. Zgjatja afatshkurtër vjen pasi disa anëtarë republikanë të Kongresit shprehin shqetësimin se Kina ka përdorur më parë marrëveshjen për të çuar përpara objektivat e saj ushtarake dhe mund të vazhdojë ta bëjë këtë.
Në atë kohë, Departamenti i Shtetit deklaroi se zgjatja afatshkurtër do ta mbajë në fuqi STA-në ndërsa SHBA negocion me Kinën për të ndryshuar dhe forcuar marrëveshjen.
Thirrje për Reciprocitet
Disa ish-zyrtarë amerikanë janë skeptikë nëse bisedimet e shpeshta mund të ndryshojnë rrënjësisht sjelljet e Pekinit, të cilat konsiderohen se dëmtojnë interesat kombëtare të Uashingtonit. Ata gjithashtu mbështesin masa “reciprociteti”.
“Sa herë që një i dërguar i Republikës Popullore të Kinës lejohet t'i drejtohet popullit amerikan, një i dërguar amerikan duhet të jetë në gjendje t'i drejtohet drejtpërdrejt popullit kinez. Nëse Kina nuk e pranon këtë, atëherë ne jemi naivë që të vazhdojmë t'u japim njerëzve si Liu qasje të drejtpërdrejtë”, tha David Stilwell, ish-ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.
Zoti Liu mbajti një fjalim të martën gjatë një aktiviteti të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
Ai shihet si një pretendent për të qenë ministri i ardhshëm për Punë të Jashtme i Kinës, sipas disa raporteve të mediave dhe analistëve.
“Zoti Liu ka marrë një rol më aktiv diplomatik dhe ka kryer detyra që zakonisht trajtohen nga ministri i jashtëm i Kinës”, tha Chechuan Lee, një studiues në Institutin gjysmëzyrtar për Kërkimet e Mbrojtjes Kombëtare dhe Sigurisë me qendër në Taipei.