Lidhje

Ekonomia dhe emigracioni ndër çështjet me peshë për votuesit amerikanë


Një berber duke pritur për klientë në Nju Jork
Një berber duke pritur për klientë në Nju Jork

Gjendja e ekonomisë ndikon shpesh tek mënyra se si amerikanët votojnë në zgjedhje, përfshirë në zgjedhjet për presidentin e ardhshëm të vendit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas, këtë vit ka shenja se edhe çështje të tjera janë po aq të rëndësishme për votuesit në zgjedhjet presidenciale që mbahen në nëntor.

Ekonomia dhe emigracioni ndër çështjet me peshë për votuesit amerikanë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Presidenti Joe Biden filloi fushatën elektorale në Pensilvani, ku u kujtoi amerikanëve përparimin që ai thotë se ka bërë ekonomia amerikane nën drejtimin e tij.

“Shikoni treguesit për besimin e konsumatorëve, që është rritur në mbarë vendin. Të gjithë janë më mirë dhe e besojnë. E dinë këtë gjë”, tha presidenti Biden.

Nuk ka asnjë pikëpyetje se ekonomia amerikane i tejkaloi pritshmëritë në periudhën e rimëkëmbjes pas pandemisë COVID-19 dhe se vazhdon të jetë e fortë.

“Inflacioni ka rënë në 3.1%, që është më pak se gjysma e nivelit kur ishte në maksimum. Ndërkaq niveli i papunësisë është në nivelet më të ulëta të pesëdhjetë viteve të fundit, në 3.7%. Kjo është pra një arritje e vërtetë”, thotë ekonomisti Steven Hamilton, nga Universiteti George Washington.

Por mbetet për t’u parë nëse përparimi i bërë deri tani do ta ndihmojë presidentin Biden të rizgjidhet në nëntor.

“Pikëpyetja më e madhe ndërsa afrojnë zgjedhjet është se sa shpejt do të rriten pagat dhe sa shpejt do të bjerë inflacioni? Pra a do t’i ndjejnë njerëzit përfitimet përpara datës së zgjedhjeve?”, thotë zoti Hamilton.

76% e amerikanëve e shohin ekonominë si një përparësi kryesore në vitin 2024, sipas një anketimi të bërë muajin e kaluar nga Qendra NORC për Çështjet Publike dhe agjencia e lajmeve The Associated Press.

Tim Carter voton përgjithësisht për Partinë Republikane. Këtë vit shqetësimi i tij kryesor është emigracioni, por ai është edhe kritik ndaj politikave të presidentit Biden.

“Nuk mendoj se ia ka dalë mbanë aq mirë sa ç’thotë. Dhe nuk mendon kështu amerikani i zakonshëm që përpiqet të përballojë shpenzimet. Inflacioni është shumë më i lartë dhe kështu që të ardhurat kanë rënë shumë”, thotë zoti Carter.

Votues të tjerë të intervistuar në lagjen Adams Morgan të kryeqytetit Uashington thanë se aborti dhe politika e jashtme, më shumë se ekonomia, do të përcaktojnë se si do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

“Për mua, çështjet sociale janë faktori më i madh. Kryesisht aborti. Më pëlqen qëndrimi i Nikki Haley-it për këtë çështje. Le të jemi realistë, nuk do të ketë masë ndalimi në mbarë vendin”, thotë Joshua Cain, votues në Teksas.

Pronarja ukrainase e një biznesi të vogël thotë se bashkëshorti i saj i kushton vëmendje nga afër qëndrimeve të politikanëve për çështjet ndërkombëtare, në veçanti për luftën që vazhdon në vendin e saj.

“Ai e kupton se Partia Demokrate e ndihmon Ukrainën më shumë dhe ka dëshirën të ndihmojë më shumë. Jemi të sigurtë që ka edhe shumë republikanë që duan të ndihmojnë, por deri më tani shohim se si po i ndërpresin disa prej marrëveshjeve dhe nuk dimë çfarë të presim”, thotë Anastasia Derun.

Megjithëse ekonomia nuk është arsyeja kryesore përse Elsa Abraham thotë se do të votojë për presidentin Biden, ajo lavdëron punën e tij për këtë aspekt.

“Mendoj se ekonomia vetëm po forcohet. Mendoj se normat e interesit do të bien këtë vit. Po e pres këtë me padurim”, thotë votuesja demokrate Elsa Abraham.

Por ekonomistët paralajmërojnë se është ende e pasigurtë nëse do të arrihet objektivi i inflacionit 2% të vendosur nga Rezerva Federale, apo nëse norma e interesit do të duhet të rritet sërish, përpara zgjedhjeve të nëntorit.

XS
SM
MD
LG