Lidhje

Kongresi dërgon në Senat akuzat për shkarkimin e zotit Mayorkas, detyrojnë zhvillimin e një gjyqi


Ligjvënësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve që kërkojnë hapjen e procedurës në Senat për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, paraqitën të martën në Senat dokumentat ku përfshihen akuzat ndaj tij. Ky veprim i detyron senatorët që të hapin një gjyq ndaj zotit Mayorkas lidhur me akuzat se ai ka refuzuar “me dashje dhe vazhdimisht” që t’i zbatojë ligjet e imigracionit.

Ndërsa Senati është i detyruar që të zhvillojë një gjyq pas depozitimit të dokumenteve nga Dhoma e Përfaqësuesve, pritet që procedurat të mos zgjasin shumë dhe demokratët ta hedhin poshtë çështjen përpara se të fillojnë argumentet e plota. Republikanët kanë argumentuar mbajtjen e një gjyqi të plotë në Senat.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, nënshkroi dokumentet e procesit të hënën. Ai tha se udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, duhet të lejojë zhvillimin e gjyqit për t’i “mbajtur përgjegjës ata që e orkestruan këtë krizë”. “Në bazë të Kushtetutës, Dhoma e Përfaqësuesve kërkon zhvillimin e gjyqit”, tha zoti Johnson.

Demokratët kanë 51 vende në Senatin me 100 anëtarë. Ata janë shprehur kundër ngritjes së akuzave dhe ka të ngjarë që Senatori Schumer të ketë vota të mjaftueshme për t’i dhënë fund menjëherë gjyqit, nëse vendos ta bëjë këtë. Procesi pritet të fillojë të mërkurën. Demokrati Schumer ka thënë se dëshiron ta “trajtojë këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Procesi nuk duhet të përdoret kurrë për të zgjidhur një mosmarrëveshje politike”, tha zoti Schumer. “Kjo do të krijonte një precedent të tmerrshëm për Kongresin”.

Të mërkurën senatorët do të bëjnë betimin duke luajtur rolin e jurisë ndërsa të tjerë do të ngarkohen të paraqesin dhe mbrojnë akuzat në gjyqin që do të zhvillohet në Senat.

Senati më pas do ta njoftojë zyrtarisht zotin Mayorkas lidhur me akuzat dhe për të kërkuar një përgjigje me shkrim prej tij. Atij nuk do t’i duhet të paraqitet në Senat. Është e paqartë se çfarë do të ndodh më pas. Rregullat e shkarkimit përgjithësisht e lejojnë Senatin që të vendosë për hapat e tjerë.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve e akuzojnë zotin Mayorkas se jo vetëm që ai ka refuzuar të zbatojë ligjin aktual por gjithashtu ka minuar besimin e publikut duke gënjyer përpara Kongresit dhe duke thënë se kufiri ishte i sigurte. Kjo është hera e parë në gati 150 vjet që ngrihen akuza për shkarkim e një sekretari të kabinetit të presidentit.

Sidoqoftë, republikanët nuk do të jenë në gjendje të bindin dy të tretat e Senatit, që nevojitet për ta gjetur fajtor zotin Mayorkas dhe shkarkuar atë nga detyra. Demokratët duket se janë të bashkuar përballë përpjekjeve për shkarkim. Asnjë demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve nuk i mbështeti përpjekjet republikane.

XS
SM
MD
LG