Lidhje

Protestë në Pejë pas vrasjes së një gruaje, bashkëshorti i së cilës tashmë ndodhet në paraburgim


Me pankarta në duar “kot flasim derisa ata na vrasin”, grupe qytetarësh parakaluan në heshtje nëpër qendër të Pejës, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës, duke kërkuar drejtësi për Xhyljeta Ukellajn, e cila u vra një ditë më parë. Bashkëshorti i saj është paraburgosur për vrasjen.

Protestë në Pejë pas vrasjes së një gruaje
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

“Fajin e kemi secili prej neve e pastaj pjesa e dytë është faji i institucioneve, posaçërisht atyre të drejtësisë. Prandaj ne sot vizituam policinë në heshtje, gjykatën në heshtje dhe prokurorinë në heshtje, kjo heshtje le t’i shurdhojë ata për shkak se do të duhej të vepronin shumë më shumë”, tha Veton Mujaj nga organizata joqeveritare “Syri i Vizionit”.

“Së bashku si qytetarë duhet që t’i denoncojmë rastet e tilla dhe urojmë që ky të jetë rasti i fundit. Bëjmë thirrje nga këtu që të gjitha shërbimet shtetërore t’i ofrohen fëmijëve të se ndjerës, varësisht nga shërbimet që kanë nevojë. Edhe ne si organizata të shoqërisë civile do të jemi afër juve si familje dhe sidomos fëmijëve të së ndjerës”, tha një tjetër protestues, Naser Lajçi.

Vrasja e Xhyljeta Ukellaj shënoi rastin e dytë të vrasjes së grave brenda pak ditësh në Kosovë.

Pasditen e së premtes, një grua 21 vjeçe u vra në Qendrën për punë sociale në komunën e Ferizajt, rreth 30 kilometra në Jug të Prishtinës. I dyshuar për vrasje është bashkëshorti i viktimës.

Vrasjet janë dënuar në shkallë të gjerë në Kosovë dhe presidentja Vjosa Osmani shpalli ditën e mërkurë ditë zie shtetërore në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë.

Flamujt e institucioneve vendase e ndërkombëtare u ulën në gjysmështizë.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, shkroi në rrjetet sociale se rastet e fundit të dhunës e vrasjes së grave vënë në pah nevojën urgjente që të punohet më shumë për trajtimin dhe parandalimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave e vajzave.

Që nga viti 2010 deri në prillin e vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra.

XS
SM
MD
LG