Lidhje

Shkon për gjykim dosja e ish kryebashkiakut të Durrësit


Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, duke dalë nga SPAK
Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, duke dalë nga SPAK

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë për të dërguar për gjykim, dosjen e ish kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Prokuroria e Posaçme i mbylli hetimet ndaj zotit Dako në dhjetor të vitit të shkuar, 6 muaj pas arrestimit të tij.

Ndaj ish kryebashkiakut është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, në dy raste. I pari lidhet me procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh si dhe me plotësimin e dokumentacionit deri në regjistrimin e pasurisë. Zbardhja e lejes së ndërtimit sipas Prokurorisë është bërë tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar, duke hartuar më pas në mënyrë fiktive dokumentacionin e kërkuar.

Rasti i dytë lidhet me procedurën e një tenderi për projektin e një shëtitoreje përgjatë bregdetit, me një fond prej 21 milionë lekësh. Sipas hetimit, përllogaritja e fondit limit është bërë në mënyrë të gabuar, duke nxjerrë një vlerë disa herë më të lartë, dhe se nuk janë marrë masa për të korrigjuar gabimin, ndonëse ai ishte vënë në dukje nga aktet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në muajin shkurt, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit gjatë hetimeve paraprake, Gjykata e Posaçme, urdhëroi lirimin e tij, duke caktuar masën e arrestit në shtëpi. Siç bëri të ditur sot Gjykata në vendimin e saj, për ish kryebashkiakun do të ketë gjykim të shkurtuar, siç kishte kërkuar ai vetë.

Për të njejtën çështje, nën akuzë për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, është vënë dhe një sipërmarrës, administratori i kompanisë ndërtuese Fiqiri Farruku, , si dhe dy inxhinjerë, njëri topograf dhe një tjetër i cili ka kryer koaludimin e ndërtesës, e po ashtu dhe disa ish drejtuesë e zyrtarë të Bashkisë së Durrësit.

Zoti Dako, i cili ka drejtuar qytetin e Durrësit për tre mandate, i ka mohuar akuzat.

Një nga ish eksponentët e Partisë socialiste, në vitin 2019 ai u bë personi i tretë nga Shqipëria ndaj të cilit Departamenti amerikan i Shtetit vendosi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, për të dhe familjen e tij pasi u konsiderua se ishte i përfshirë në korrupsion madhor.

XS
SM
MD
LG