Lidhje

Kurti: Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës Dejan Jankoviç po mbahet në Serbi


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të enjten se janë liruar pjesëtarët e policisë së Kosovës që ishin ndaluar nga autoritetet serbe të mërkurën, por atje po mbahet ende zëvendës drejtori i policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

“Informacionet e fundit na njoftojnë që të gjithë policët e ndaluar tashmë janë liruar, përveç zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë së Kosovës Dejan Jankoviç. Pra zëvendësdrejtori i policisë vazhdon që të mbahet në burg në Serbi”, tha kryeministri Kurti gjatë një mbledhjeje të qeverisë së tij.

Kurti: Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës Dejan Jankoviç po mbahet në Serbi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Kryeministri Kurti bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të zëvendësdrejtorit Jankoviç.

Një ditë më parë autoritetet në Prishtinë njoftuan se 10 pjesëtarë të policisë së Kosovës u ndaluan në Serbi, përfshirë zëvendësdrejtorin Jankoviç. Pesë nga ta ishin liruar ditën e mërkurë ndërsa katër pjesëtarë të tjerë sipas autoriteteve janë liruar të enjten.

Ministria e Brendshme e Kosovës tha se oficerët e përkatësisë kombëtare shqiptare dhe serbe “janë ndaluar në vendkalimet kufitare Merdar, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë".

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se zotit Jankoviç i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh nga autoritetet serbe, nën akuzat për “prishje të rendit kushtetues”, ndërsa theksoi se ngjarjet e djeshme janë precedentë të rrezikshëm dhe paraqesin kërcënim për sigurinë në rajon.

Por, kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiç, tha të enjten se ndalimet janë pjesë e veprimeve për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë. Javën e kaluar presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Serbia do të arrestojë këdo që prek rendin kushtetues të saj, pak pasi policia e Kosovës arrestoi një qytetar serb në veri të vendit nën dyshimet për përfshirje në cenimin e rendit kushtetues të Kosovës.

“Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar me vite për gjithçka që po bën Albin Kurti, për keqtrajtimin e atyre njerëzve, mendoj se do ta mirëpresin këtë tani. Ata kanë të ashtuquajturin rendin e tyre kushtetues, mirë, ne kemi një rend kushtetues të vërtetë, sepse jemi një vend i njohur ndërkombëtarisht, ndaj pres lëvdata nga komuniteti ndërkombëtar për pjesëtarët tanë të ministrisë së Brendshme si dhe për prokurorinë tonë dhe të gjitha institucionet përkatëse”, tha zonja Bërnabiç.

Kryeministri Albin Kurti tha se veprimi i Serbisë është akt i ultë hakmarrjeje ndaj suksesit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe shkelje e të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë.

“Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjes, duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011 për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022 për lëvizje të lirë me karta identiteti në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshjen bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh dhe fqinjësi të mirë”, tha ai.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila mori sot pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të policisë së Kosovës, u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtare që të rrisin përpjekjet kundër veprimeve të tilla.

“U bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë. Por, jam e bindur që betimi i sotëm, dhe të gjithë këta kadetë dhe ky grup multietnik është përgjigjja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla”, tha presidentja Osmani.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier shprehu sot shqetësimin për ndalimin e zotit Jankoviç në Serbi.

“Jankoviç është i njohur mirë nga ambasada amerikane dhe të tjerë. Ne jemi të shqetësuar sepse atë e njohim tash e disa vjet për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre”, tha ambasadori Hovenier.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde shkoi në rrjetet sociale se ndalimi i zyrtarëve të Kosovës të zbatimit të ligjit, përfshirë serbët, nga autoritetet e Serbisë është i papranueshëm dhe sigurisht jo ajo që mund të pritet nga një vend kandidat i Bashkimit Evropian. “Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe ne presim që edhe politikanët serbë të flasin për bashkëqytetarët e tyre”, shkroi ai.

Të mërkurën të paktën gjashtë autobusë nga Kosova u ndaluan për orë të tëra nga policia serbe në vendkalimet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë.

Autoritetet në Prishtinë thanë se afër 1 mijë e 500 qytetarë të Kosovës janë ndaluar, disa janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje lidhur me kaluarën e tyre dhe lidhjet e tyre me ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet serbe mohuan të kenë bllokuar udhëtarët nga Kosova, por thanë se shtimi i kontrollit të sigurisë mund të ketë shkaktuar vonesa.

Bashkimi Evropian tha se ndalimi i udhëtarëve “paraqet shkelje të marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialog”.

Nga viti i kaluar Serbia ka njohur dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Kosova, ndonëse nëpër vendkalime kufitare ka vendosur afishe në të cilat thuhet se kjo nuk nënkupton njohje të pavarësisë së saj.

Serbia u shpreh e zhgënjyer me votimin e së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm. Beogradi ka paralajmëruar se do të vazhdojë luftën kundër anëtarësimit të Kosovës, ndonëse sipas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën të dyja vendet janë pajtuar vitin e kaluar, palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetër në proceset integruese.

XS
SM
MD
LG