Lidhje

SHBA bllokon nismën për anëtarësimin e territoreve palestineze në OKB


ISRAEL-PALESTINIANS/UN
ISRAEL-PALESTINIANS/UN

Shtetet e Bashkuara të enjten bllokuan OKB-në nga njohja e një shteti palestinez, duke i vënë veton një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit për anëtarësim me të drejta të plota të Autoritetit Palestinez në organin e lartë botëror.

Shtetet e Bashkuara thonë se një shtet i pavarur palestinez duhet të krijohet përmes negociatave të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez dhe jo përmes veprimit të OKB-së.

Uashingtoni i vuri veton projektrezolutës, e cila i kërkonte Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh që "Shteti i Palestinës të pranohej si anëtar në Kombet e Bashkuara". Britania dhe Zvicra abstenuan, ndërsa 12 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit votuan në favor të projektrezolutës.

Territoriet palestineze janë aktualisht një shtet vëzhgues jo-anëtar, një njohje de fakto e shtetësisë që u dha nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2012. Por kërkesa për t'u bërë anëtar me të drejta të plota i OKB-së duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit dhe më pas të paktën nga dy të tretat e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme.

Përpjekja palestineze për anëtarësim të plotë në OKB vjen gjashtë muaj pas fillimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës dhe ndërsa Izraeli po zgjeron vendbanimet në Bregun Perëndimor.

"Përshkallëzimet e fundit e bëjnë edhe më të rëndësishme mbështetjen e përpjekjeve me besim të mirë për të gjetur paqe të qëndrueshme midis Izraelit dhe një shteti palestinez plotësisht të pavarur dhe sovran", i tha Këshillit të Sigurimit më herët të enjten Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

"Mungesa e përparimit drejt një zgjidhjeje me dy shtete do të rrisë paqëndrueshmërinë dhe rrezikun për qindra miliona njerëz në të gjithë rajonin, të cilët do të vazhdojnë të jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës", tha ai.

Rreth 34 mijë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës, të dhëna këto të pakonfirmuara nga burime të pavarura. Ato gjithashtu thonë se shumica e 2.3 milionë banorëve janë zhvendosur dhe se pjesa më e madhe e Gazës është shkatërruar.

Lufta filloi kur Hamasi kreu një sulm terrorist ndërkufitar në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor, në të cilin sipas autoriteteve izraelite, 1200 njerëz u vranë dhe 253 u morën peng. Izraeli thotë se rreth 130 vetë vazhdojnë të mbahen peng, por një e katërta e tyre kanë të vdekur. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera vende.

XS
SM
MD
LG