Lidhje

Qytetarët hetues mbështesin operacionin më të madh të FBI-së


Hetimi i trazirave të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit amerikan është operacioni më i madh në historinë e FBI-së. Organet e drejtësisë kanë ngritur akuza ndaj më shumë se 1200 individëve dhe rreth 900 janë dënuar. Por hetimet masive i kanë tendosur burimet e FBI-së dhe shpesh i është dashur që të mbështetet në punën e ‘qytetarëve hetues’ të cilët në disa raste quhen ‘gjurmuesit e rebelëve’. Gazetarja Judy Woodruff e kanalit televiziv publik, PBS, foli me një nga këta ‘detektivë’ anonimë.

Qytetarët hetues mbështesin operacionin më të madh të FBI-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:05 0:00


“Në fillim ishte intensive. Pasi i dërgoja fëmijët në shkollë, kthehesha në shtëpi dhe punoja gjithë ditën për këtë qëllim. Pasi fëmijët binin në gjumë, bëja të njëjtën gjë deri në orët e para të mëngjesit dhe flija vetëm pak orë”, tregon qytetarja, që po e identifikojmë me emrin Sandy.

Si shumë amerikanë të tjerë, Sandy po i kushtonte vëmendje të madhe zhvillimeve të 6 janarit. Gjatë ditëve që pasuan, Sandy iu bashkua një përpjekje masive qytetare për të identifikuar individët që hynë me dhunë në ndërtesën e Kongresit. Ajo ka dhënë një ndihmë të drejtpërdrejt për t’i vënë pas hekurave personat përgjegjës. Asaj i duhet të fshehë identitetin nga frika e hakmarrjes.

“Një nga më tinzarët është një rebel që ende nuk është arrestuar. Ai filloi të më dërgonte video që e tregonin atë me armë në dorë”, tregon Sandy.

Aktualisht, Sandy është pjesë e një komuniteti informal prej dhjetëra amerikanësh të zakonshëm që njihen si “gjurmuesit e rebelëve”.

Me kalimin e kohës, ata zhvilluan metodologjitë e tyre, udhëzimet dhe madje edhe një aplikacion për të ruajtur të dhënat individuale të çdo individi që mori pjesë në trazirat e Kapitolit. Dosjet me të dhënat e mbledhura dhe identitetin e protestuesve ia dorëzuan Byrosë Federale të Hetimeve.

“Një nga faqet e gjurmuesve të rebelëve ka imazhe që tregojnë se kush është identifikuar dhe ata që ende nuk janë identifikuar. Siç shihet, këta me ngjyrë blu janë individët e identifikuar por që nuk janë arrestuar”, tregon gazetari Ryan Reilly me kanalin televiziv NBC News.

Ai është autor i librit “Gjurmuesit e Rebelëve: Si 6 janari Dëmtoi Sistemin e Drejtësisë”. Në libër ai flet lidhur me vështirësitë e FBI-së për të hetuar mijëra njerëz që sulmuan Kapitolin.

“FBI-a ishte e mbingarkuar me numrin e informatave që i vinin, disa qindra mijëra. Ndërkohë FBI-a iu drejtua ‘qytetarëve hetues’ për ndihmë. Duke u kërkuar detaje të imta për individët që dyshoheshin. Byroja Federale e Hetime nuk i ka aftësitë teknologjike për ta bërë këtë lloj hetimi”, thotë zoti Reilly.

Pyetje: A është FBI kaq e prapambetur për sa i përket teknologjisë?

“Ata me të vërtetë janë disi prapa në mbledhjen e informacioneve nga burimet e hapura. Një nga shakatë brenda FBI-së është, teknologjinë djeshme do ta përdorim nesër”.

Zoti Reilly thotë se sipas përllogaritjeve, rreth 3000 njerëz hynë në mënyrë të paligjshme në Kapitol, kryen dëmtime ose sulmuan punonjësit e rendit më 6 janar.

Deri më tani, FBI-a ka ngritur akuza për më shumë se 1200 prej tyre. Qytetarët detektivë thonë se kanë identifikuar dhe dorëzuar të dhëna për rreth 1000 të tjerë.

“Ata nuk do të jenë në gjendje t’i hetojnë të gjithë ata ndaj të cilëve mund të ngrihen padi për 6 janarin. Hetimi do të përfundojë kur të skadojë afati pesëvjeçar dhe njerëzit janë identifikuar po ende nuk janë arrestuar”, thotë gazetari Reilly.

FBI-a tha përmes një deklarate se çdo informacion përbën fillimin e një hetimi dhe se ata po punojnë me zell për të mbledhur prova të mjaftueshme që prokurorët të ngrenë akuza.

Byroja Federale e Hetimeve nuk iu përgjigj pyetjeve për teknologjinë e vjetruar, por e pranoi se publiku ka dhënë një ndihmë të madhe në punën e saj. Gazetari Reilly thotë se teknologjia e FBI-së nuk është arsyeja e vetme për dosjet e shumta që ende nuk janë trajtuar.

“Ka shumë njerëz brenda FBI-së, që nuk janë aq entuziastë për hapjen e çështjeve kundër atyre që sulmuan Kapitolin më 6 janar”.

Pyetje: A ka ende njerëz të tillë në FBI?

“Ka dhe e them këtë sepse disa nga këta individë që kanë qenë në FBI janë shprehur publikisht. Ata kanë dhënë dorëheqjen nga FBI-a për këto raste”.

Gazetari Reilly thekson se, përveç zyrtarëve aktualë të zbatimit të ligjit dhe ish zyrtarëve të larguar që përhapin teori konspiracioni, anëtarët e Kongresit i kanë kundërshtuar hetimet e 6 janarit dhe kanë kontribuar në keqinformimin rreth asaj që ndodhi atë ditë.

Ky është hetimi federal më i madh i ndërmarrë ndonjëherë. Megjithëse Sandy është në qendër të hetimeve, pasi ka ndihmuar në identifikimin e qindra protestuesve, pothuajse askush në jetën e saj nuk di për punën e saj.

“Njerëzit duan të dinë se me çfarë merresh. Unë kam gjithë këto gjëra emocionuese për t’i thënë por nuk mundem. Thjesht, mendjen e kam tek fëmijët dhe asaj që po bëjnë ata”, thotë Sandy.

Pyetje: Nuk po paguheni për këtë, apo jo?

“Jo. Nuk jam paguar asnjë qindarkë. Janë miqtë tuaj, fqinjët tuaj që përdorin paratë e tyre, kohën dhe energjitë e tyre për të gjetur shkelësit e ligjit. Në grupin tonë kemi edhe nga ata që votuan për zotin Trump, por pas 6 janarit u neveritën prej tij. Sepse kjo dëmtoi procesin e kalimit të pushtetit në rrugë paqësore. Dhe e quajnë veten patriotë!”

“Do të doja të ishim në një botë ku nuk do të duhej të mbështeteshim në grupe njerëzish, por gjithashtu mendoj se jemi në një botë ku FBI-a nuk ka burime për t’i bërë këto hetime”.

Cynthia Miller-Idriss është drejtoreshë e Laboratorit për Hulumtime të Polarizimit dhe Ekstremizmit në Universitetin Amerikan.

“Asnjë agjenci e zbatimit të ligji nuk i ka kapacitet për të trajtuar një rritje të dhunës politike ose dhunës së nxitur nga urrejtja, kur ajo nxitet nga dezinformata që besohen nga miliona e miliona njerëz. Flitet për njerëz të rrymës dominuese që ndërmarrin veprime të dhunshme spontanisht për një qëllim politik. Shumë njerëz të fushës time po e shohim me shumë shqetësim këtë vit”.

“E gjithë barra është vendosur në kurrizin e Departamentit të Drejtësisë duke menduar se elementi i sigurisë do t’i zgjidhë problemet. Por barra i takon edhe Departamentit të Arsimit edhe agjencive që punojnë me të rinjtë, që punojnë me të moshuarit, që punojnë me arsimimin dixhital dhe mediatik”, thotë Cynthia Miller-Idriss me Universitetin Amerikan.

“Do të doja të kisha një aftësi për t'iu kundërvënë dezinformimit që na çoi në atë pikë”.

Sandy i ka parë drejtpërdrejt në familjen e saj efektet e dezinformatave.

“Nuk kam folur me disa nga kushërinjtë e mi që nga 6 janari, sepse ata e mbështesin atë. Jemi të ndarë dhe nuk e di si do të vejë kjo punë”.

XS
SM
MD
LG