Lidhje

Parlamenti Evropian miraton heqjen e vizave për serbët e Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia


Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza të qytetarëve serbë të Kosovës, që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia.

Në një njoftim të parlamentit thuhet se ky vendim siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të ketë regjim të njëjtë të udhëtimit pa viza.

Raportuesi i Parlamentit Evropian Matjazh Nemec tha se “zgjerimi i liberalizimit të vizave për banorët serbë të Kosovës është i rëndësishëm për të parandaluar diskriminimin ndaj këtyre qytetarëve, të cilët mbeten kategoria e vetme e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që ende kërkojnë vizë për të udhëtuar në zonën Shengen”.

Zoti Nemec tha se ky vendim teknik nuk është një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por një zgjidhje pragmatike për të siguruar trajtim të barabartë

Çështja tani kalon në duart e Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian. Raportuesi Nemec tha se shpreson që vendim të merret para zgjedhjeve të BE-së që mbahen nga 6 deri më 9 qershor.

Nga një janari i këtij viti Kosova u bë pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza, e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor ndërsa pasaportat e lëshuara nga një drejtoria e ministrisë së Brendshme të Serbisë, nuk ishin përfshirë në këtë regjim.

Qeveria e Kosovës është shprehur më herët e shqetësuar me një mundësi të tillë, meqë pasaportat e lëshuara nga autoritetet në Serbi për serbët e Kosovës, i konsideron të paligjshme. Sipas qeverisë, njohja e këtyre dokumenteve të tilla, do të pengojë integrimin e komunitetit serb dhe shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e strukturave të paligjshme

XS
SM
MD
LG