Lidhje

Kremtohen Pashkët ortodokse në Kosovë


Besimtarët ortodoksë në Kosovë, që kryesisht i takojnë komunitetit serb, po kremtojnë Festën e Pashkëve, ndërsa zyrtarët më të lartë vendas e ndërkombëtarë po i përgëzojnë ata me thirrjet për paqe e tolerancë.

Në të gjitha kishat ortodokse në Kosovë, mbrëmë janë mbajtur liturgji fetare, ndërsa mesha kryesore e mesnatës është mbajtur në Manastirin e Graçanicës afër Prishtinës.

Qytetarët serbë thanë se për këtë festë luten për paqe.

“Unë dua që ne të jetojmë me dashuri dhe të kemi besim, të jemi të mirë me veten dhe me të tjerët, kjo është mënyra e vetme që ne të arrijmë të bëjmë atë që bëri Jezusi, për të mposhtur vdekjen”, tha Sonja Iliç.

“Për të jetuar në paqe dhe së bashku, këtu ku jemi në hapësirat tona dhe lutemi që Zoti të japë paqe, prosperitet dhe të jetojmë të gjithë së bashku”, tha Miodrag Zhiviç.

Në urimin e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thekson se festat si pashkët janë pjesë e traditës së Kosovës për kremtimin e festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në ditë si kjo, festohet bashkëjetesa kulturore e fetare në shoqërinë e Kosovës ku të gjithë qytetarët e të gjitha besimeve, pa dallim, mund të jetojnë së bashku në paqe dhe prosperitet.

XS
SM
MD
LG