Lidhje

Konfirmohet ndalimi i një amerikani tjetër pas arrestimit të ushtarit në Rusi


Gordon Black, ushtari amerikan i ndaluar në Rusi
Gordon Black, ushtari amerikan i ndaluar në Rusi

Ushtria amerikane konfirmoi se një ushtar amerikan u arrestua javën e kaluar gjatë vizite të paautorizuar në qytetin portual rus të Vladivosktokut, një nga dy amerikanët e ndaluar së fundmi në Rusi.

Zëdhënësja e ushtrisë, Cynthia Smith, tha të martën se rreshteri Gordon C. Black, i stacionuar në Korenë e Jugut, kishte marrë urdhrin për ndryshim të përhershëm të stacionit të dislokimit më 10 prill dhe vendosjen në Fort Cavazos në Teksas.

Në vend që të kthehej në Shtetet e Bashkuara, zoti Black udhëtoi me avion përmes Kinës për në Vladivostok për "arsye personale".

“Blcak nuk kërkoi leje zyrtare dhe Departamenti i Mbrojtjes nuk e autorizoi udhëtimin e tij në Kinë dhe Rusi”, tha zëdhënësja Smith.

Zyrtarët amerikanë i thanë Zërit të Amerikës se duket se ai kishte shkuar në Rusi për t’u takuar me një grua me të cilën kishte lidhje romantike.

Zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh, u tha gazetarëve të martën se ushtria po e heton incidentin dhe se çdo leje për në Rusi ishte "rreptësishtë e ndaluar", në bazë të udhëzimeve të Departamentit të Mbrojtjes.

Shtëpia e Bardhë tha të martën se konfirmoi "dy raste të veçanta" të shtetasve amerikanë të arrestuar në Rusi, pa identifikuar të arrestuarin e dytë.

Zyrtarët rusë e identifikuan amerikanin e dytë si William Russell Nycum. Ai u arrestua 10 ditë më parë në Moskë nën akuza për huliganizëm, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA-Novosti.

“Departamenti i Shtetit po kërkon në mënyrë aktive qasje konsullore për të dy individët. Asnjëri prej tyre nuk ndodhet në Rusi në emër të qeverisë amerikane”, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme ruse e informoi ambasadën amerikane në Moskë më 3 maj se zoti Black ishte arrestuar një ditë më parë në Vladivostok nën akuzat për vjedhje të pronës private.

Zëdhënësja e ushtrisë, Cynthia Smith, tha se ushtria aktualisht nuk kishte të dhëna të tjera për rastin e zotit Black i cili po mbahet në një objekt paraburgimi deri në daljen e ardhshme para gjykatësit.

Sipas Radios Evropa e Lirë, llogaria në TikTok e partneres romantike të zotit Black, me origjinë nga Vladivostok-u, Aleksandra Vashchuk, përmban video të shumta të çiftit në Korenë e Jugut. Zoti Black shihet në një video i veshur me rrobat e ushtrisë amerikane tek puth kameran e një gruaje, me sa duket zonja Vashchuk, ndërsa ajo flet në rusisht.

Radio Evropa e Lirë thotë se zonja Vashchuk e cilëson zotin Black si burrin e saj. Agjencia e lajmeve Associated Press njofton se zyrtarë anonimë thonë se zoti Black akuzohet se kishte vjedhur nga e dashura e tij.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Michael McCaul, tha se është "thellësisht i shqetësuar" nga raportet për ndalimin.

“Putini ka një histori të gjatë të mbajtjes peng të qytetarëve amerikanë”, tha zoti McCaul në një postim në rrjetin X. “Një paralajmërim për të gjithë amerikanët, siç ka thënë Departamenti i Shtetit, nuk është e sigurt të udhëtosh në Rusi”.

Në mesin e të arrestuarve janë gazetarët Alsu Kurmasheva e Radios Evropa e Lirë dhe Evan Gershkovich i gazetës “The Wall Street Journal”. Dy gazetarët, punëdhënësit dhe mbështetësit e tyre i hedhin poshtë akuzat si të motivuara politikisht. Rusia po ashtu ka burgosur amerikanin Paul Whelan, drejtuesi i lartë i një korporate në Miçigan, i dënuar për spiunazh në vitin 2020 me 16 vjet burg. Ai dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara i hedhin poshtë akuzat ruse.

XS
SM
MD
LG