Lidhje

Kosova kremton 9 majin - Ditën e Evropës, ndërsa mbetet e fundit në rajon në proceset integruese


Të mërkurën një zëdhënës i Këshillit të Evropës i tha Zërit të Amerikës se çështja e Kosovës nuk është në agjendën e takimit të ministrave të Këshillit të Evropës, që mbahet javën e ardhshme.

Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se u bë “thembra e Akilit” në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asmableja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Kosova kremton Ditën e Evropës, mbetet e fundit në rajon në proceset integruese
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:40 0:00

Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e cilësoi “absurd” dhe të papranueshëm një kushtëzim të tillë.

Analistët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thonë se vendosja e kushteve të tilla jo formale në procese integruese është një praktikë që shtetet anëtare të bllokut e përdorin për t’u bërë trysni palëve që të përmbushin detyrimet e tyre.

“Edhe pse nuk është në asnjë mënyrë një kusht formal për integrimin e Kosovës në Këshill të Evropës sepse Kosova në prill është konstatuar se ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim, megjithatë duket se Asociacioni po përdoret si mjet që i ushtron trysni shtetit të Kosovës për të dhënë një zgjidhje lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin edhe qeveria e Kosovës ka dhënë një premtim se do të punojë në drejtim të themelimit të tij. Pra nëse statuti aktual nuk është i duhuri dhe nuk përputhet me kriteret e Gjykatës Kushtetuese, atëherë qeveria duhet të tregojë një maturi politike për të ofruar një zgjidhje për të dalë nga situata ku gjendemi sepse anëtarësimi në Këshill të Evropës është shumë i rëndësishëm”, tha Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike e Politike.

“Aty është çështje politike dhe normalisht ka edhe kërkesa politike, që nuk do të duhej të ishin por për fat të keq janë aty, siç kanë theksuar për shembull Franca dhe Gjermania që duhet të ecim një hap tutje me çështjen e Asociacionit, këtu është gjithë problematika e shtetit të Kosovës mendoj për të ecur tutje jo vetëm për anëtarësim në Këshillin e Evropës por në tërësi drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO. Këto janë institucione në të cilat është në dorën e perëndimit që ne të përparojmë, por perëndimi po kërkon një lloj baraspeshe mes kërkesave të Kosovës, Serbisë dhe pakicës serbe në Kosovë”, thotë profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi.

Afrimi me Këshillin e Evropës ishte parë si një hap i rëndësishëm për Kosovën e cila kremton 9 majin Ditën e Evropës me aspiratën që një ditë të jetë pjesë e bllokut.

Por ku qëndron Kosova aktualisht në procesin e integrimeve evropiane?

“Nëse e krahasojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor në momentin që po flasim Kosova renditet në fund të procesit në krahasim me shtetet tjera duke qenë se së fundmi edhe Bosnje e Hercegovina iu dha drita e gjelbërt për hapje të negociatave. Kurse Kosova tash e sa vite mbetet në fazën e implementimit të marrëveshjes së stabilizim asocimit e cila është arritur vite më parë dhe përkatësisht në zbatimin e planit kombëtar evropian dhe deri vonë edhe në planin për reforma të agjendës evropiane. Kjo ka qenë marrëveshja e vetme kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe fatkeqësisht ende mbetet në nivel të MSA-së”, thotë zonja Arifi.

“Integrimi evropian për Kosovën është një ëndërr e cila ngadalë po bëhet realitet por shumë e vështirë në praktikë sepse Kosova është vendi i fundit që e ka fituar pavarësinë nga ish Jugosllavia dhe në njëfarë mënyre kjo na ka penalizuar në shumë procese. Nga aspekti legjislativ mund të themi se jemi më mirë se rajoni, por nga aspekti i zbatimit nuk mund të themi se jemi më të mirët”, thotë zoti Arifi.

Njohës të kësaj fushe thonë se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në institucionet evropiane është e lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se mungesa e përparimit në këtë proces po e ngadalëson integrimin e vendit.

“Nëse ne zbatojmë marrëveshjet e arritura deri sot në mënyrë të njëanshme, Bashkimi Evropian në njëfarë mënyre e ka garantuar ecjen në këtë proces në mënyrë të pavarur. Pra nëse ne lëvizim, ne lëvizim tutje, nëse ne zbatojmë marrëveshjet atëherë Kosova lëvizë tutje sepse nuk ka alternativë tjetër. Unë mendoj se ne nuk duhet të mbesim në kurthin e fqinjit tonë verior i cili nuk po mund të këndellet, ne nuk guxojmë të presim që një shtet të demokratizohet e mandej edhe ne të fillojmë, kjo qasje është shumë e gabuar sepse ne humbim”, thotë zoti Arifi.

“E kemi parë dhe vazhdojmë ta shohim se Bashkimi Evropian në asnjë mënyrë nuk e mbështet anëtarësimin e një shteti të ri nëse ai shtet ka një konflikt dypalësh me një shtet tjetër që potencialisht mund të jetë anëtar në Bashkimin Evropian. Pra Bashkimi Evropian fare nuk ka interes për anëtarësim të shteteve të reja të cilat kanë konflikte dypalëshe në mes vete dhe kjo vazhdimisht bëhet e ditur nga zyrtarë të bllokut që edhe për Kosovën edhe për Serbinë ky proces është ngushtë i lidhur me normalizimin e marrëdhënieve që nënkupton respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”, thotë zonja Arifi.

Por ndonëse vitin e kaluar palët u pajtuan për një marrëveshje normalizimi në Bruksel dhe në Ohër, zbatimi i saj nuk ka filluar dhe diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjkeje për ringjalljen e saj mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, shkroi në rrjete sociale se bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak “janë bashkërenduar mbi strategjitë për ta çuar përpara çështjen e bisedimeve Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve”. Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm dialogun si “rrugë për marrëdhënie paqësore”. Por, zoti O’Brien e as zoti Lajçak nuk dhanë ndonjë hollësi për strategjitë e përmendura.

XS
SM
MD
LG