Lidhje

Pas vendimit të Strasburgut, KPA rikthen në detyrë prokuroren Sevdari


Prokurorja Antoneta Sevdari pas vendimit te KPA-së
Prokurorja Antoneta Sevdari pas vendimit te KPA-së

Në Shqipëri, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, (KPA) shkalla më e lartë e gjykimit në procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, u detyrua të premten të rrëzojë një vendim të tijin të marrë në shkurt të vitit 2019 për shkarkimin e prokurores Antoneta Sevdari, në atë kohë dhe anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Akti i sotëm erdhi pasi në dhjetor të vitit 2022, Gjykata europiane e të Drejtave të Njeriut, (GJEDNJ), gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës “E drejta për jetë private”, në rastin e shkarkimit të saj.

Në kushtet kur parashikimet e Konvetës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimmarrja e GJEDNJ-së janë të detyrueshme për zbatim nga shteti shqiptar dhe për sa kohë lidhur me çështjen objekt gjykimi, dhënia e masës disiplinore e shkarkimit nga detyra është çmuar nga GJEDNJ se ka cënuar nenin 8 të Konventës, e vetmja alternativë për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të zonjës Antoneta Sevdari është konfirmimi i saj në detyrë”, thuhet në vendimin e KPA-së.

Zonja Sevdari kaloi fillimisht me sukses testin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vendimi i të cilit u ankimua pak javë më pas nga Komisioneri Publik “për shkak të problemeve të vërejtura si me pasurinë e deklaruar prej saj, ashtu dhe me aspektin e aftësive profesionale”. KPA-ja nga ana e saj kishte vlerësuar se kishte gjetur me vend, dyshimet e ngritura lidhur me pasurinë e bashkëshortit të saj, për mos paraqitjen e dokumentacionit për pagesën e tatimeve për të ardhurat si emigrant në Greqi dhe më pas nga puna në Arabinë Saudite. Ndërsa sa i takon aspektit profesional, Kolegji i ishte referuar një çështjeje të cilën ajo nuk e kishte apeluar.

Vendimi i KPA-së, ishte kritikuar haptazi nga përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, sipas të cilit Kolegji kishte bërë një interpretim të gabuar të ligjit kur ishte shprehur për “deklarim të pamjaftueshëm”, e se po ashtu dhe mosapelimi i një çështjeje, i konsideruar si “mangësi proesionale”, kishte qenë një rast pa shumë peshë dhe i vetmi në të gjithë karrierën e prokurores.

Edhe Gjykata europiane konstatoi më pas se shkarkimi i saj “bazuar në thelb në faktin se ajo nuk ishte në gjendje të provojë se bashkëshorti i saj pagoi taksat në një pjesë të të ardhurave nga aktivitete të ligjshme në dy dekadat e shkuara dhe në mungesë të ndonjë indicieje për keqbesim apo dhunim të qëllimtë nga vetë aplikanti, ishte disproporcional me synimet e ligjshme të procesit të vettingut”.

Pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm, prokurorja Sevdari, u shfaq e emocionuar, duke deklaruar se “sot është një ditë shumë e rëndësishme për mua si personalisht ashtu dhe profesionalisht. Ndihem e gëzuar që më në fund arrita të marr drejtesinë që vlerësoj se e meritoja. Sot është dita e drejtësisë dhe unë e ndjej dyfish përgjegjësinë që në vazhdim të mbetem e fokusuar në shërbim të saj”.

Ky është rasti i parë, kur KPA rrëzon një vendim të marrë nga trupa e saj. Por rasti Sevdari nuk mund të përdoret si precedent, pasi vetë Gjykata Europiane ka saktësuar se kjo çështje vlerësohet si “përjashtimore” dhe nuk mund të shërbente për të hedhur poshtë në tërësi procesin e vetingut në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG