Lidhje

Parlamenti pritet të diskutojë marrëveshjen PS-PD për zonat zgjedhore


Parlamenti shqiptar pritet të marrë ë shqyrtim të hënën marrëveshjen e arritur në fundjavë mes forcave kryesore politike lidhur me ndarjen e re të zonave zgjedhore.

Falë ndërmjetësimit intensiv të OSBE-së, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë më në fund dakord që një zonë të Beratit ta kalojnë në kryeqytet, ndërsa një zonë tjetër në Vlorë ta zhvendosin në Shkodër.

Ndarja e re e zonave zgjedhore u bë e nevojshme për shkak të lëvizjeve të konsiderueshme të popullatës nga një krahinë në tjetrën. Marrëveshja mes partive më të mëdha u arrit vetëm një ditë pasi delegacioni i Bashkimit Evropian kritikoi autoritetet për humbje të ndjeshme kohe në përgatitjen e zgjedhjeve dhe rrezikun e dështimit të reformës zgjedhore.

Reinard Priebe, kryesues i delegacionit të BE në raundin e nëntë të bisedimeve për marrëveshjen e stabilizim-asociimit, tha në takimin me palën shqiptare se forcat politike në Shqipëri nuk duhet të politizojnë pa qenë nevoja edhe cështje thjesht teknike si ajo e zonave zgjedhore.

Marrëveshja e brishtë nuk e ka ulur tensionin mes palëve, dhe mosbesimi mbizotëron deri edhe në përmbylljen e detajeve me një votim në parlament. Bisedimet mes partive kryesore për zona të reja zgjedhore filluan në dhjetor me një marrëveshje midis drejtuesve të grupeve më të mëdha parlamentare Gramoz Ruci dhe Bamir Topi, por ekspertët gjatë 3 muajve vetëm kanë debatuar, duke mbrojtur variantet respektive.

Socialistët i mbrojtën fort variantet e tyre, ndërsa demokratët I tërhoqën propozimet e tyre, duke theksuar se do të mbështesnin çdo variant që do të kishte miratimin e OSBE-së, dhe për shumë ditë bisedimet vazhduan vetëm mes ekspertëve të PS-së dhe OSBE-së.

Komisionet dhe seancat e parlamentit nuk kanë munguar që të japin edhe kthesa të papritura, duke ju shmangur marrëveshjeve të ndryshme politike, ndaj edhe veprimtaria parlamentare e kësaj jave do të jetë në qendër të vëmendjes edhe për arësye se përgatitjet e zgjedhjeve po shtyhen në kufijtë e fundit kohorë.

KQZ-ja është ankuar shpesh se për vonesat që pengojnë përgatitjet teknike, ngritjen e komisioneve si dhe trajnimin e komisionerëve për Kodin e Reformuar Zgjedhor, ku më në fund u përfshinë shumica e rekomandimeve të OSBE-së, për të shmangur parregullsitë e zgjedhjeve të kaluara.

XS
SM
MD
LG