Lidhje

Bashkimi Evropian mund të mbajë një konferencë për Irakun


Bashkimi Evropian thotë se po shqyrton mundësinë e një konference ndërkombëtare për rindërtimin e Irakut në qershor, në vazhdim të idesë që udhëheqësit e Bashkimit Evropian diskutuan me Presidentin Bush gjatë një takimi të nivelit të lartë në shkurt. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Douglas Bakshian njofton për një takim të Ministrave të Jashtëm në Luksemburg:

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës në Bashkimin Evropian, thotë se kjo organizatë është e gatshme të ndihmojë Irakun, nëse qeveria e Bagdadit bën një kërkesë për ndihmë. Ai foli përmes një përkthyesi.

“Ne po punojmë për të organizuar një konferencë të tillë. Ndoshta do të mbahet në Bruksel në fillim të qershorit, nëse është dakord qeveria e re e Irakut. Dua ta vë theksin tek kjo pikë e fundit”.

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Benita Ferrero-Waldner thotë se një takim do të dërgonte sinjalin e angazhimit ndërkombëtar për sigurinë dhe stabilitetin në Irak.

“Ne mendojmë se një konferencë e tillë do të jetë shumë, shumë e rëndësishme dhe e ngjashme me me atë që mbajtëm në Londër për Palestinezët, pasi kjo do t’i jepte qeverisë së Irakut mundësinë për të paraqitur përparësitë e saj para komunitetit ndërkombëtar. Dhe mendoj se ka ardhur momenti që Iraku t’i tregojë botës se çfarë të ardhmeje po përgatit për popullin e vet”.

Ajo theksoi se nuk është marrë ndonjë vendim i përcaktuar për konferencën, por nëse planet vazhdojnë ajo tha se do të ftohen fqinjët e Irakut, si edhe organizatat dhe vendet e tjera jashtë rajonit që e mbështesin Irakun.

Analistët thonë se një konferencë e Bashkimit Evropian për të ndihmuar Irakun do të mbështetej nga Washingtoni dhe Bashkimi Evropian po përpiqet të gjejë rrugët për përmirësimin e lidhjeve transatlantike pas luftës së Irakut, që u kundërshtua me forcë në shumë pjesë të Evropës.

XS
SM
MD
LG