Lidhje

Vatikan: Kardinalët përgatiten për procesin e zgjedhjes së papës së ri


Kisha Katolike është angazhuar në përgatitjet e fundit që i paraprijnë procesit për zgjedhjen e Papës së ri. 115 kardinalë, të cilët do të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së papës kanë mbërritur në banesën Santa Maria në qytetin e Vatikanit në përgatitje për procesin që fillon të hënën.

Zyrtarët e Vatikanit kanë thënë se mund të hedhin votën e parë të hënën mbrëma ose të martën në mëngjes. Ata parashikojnë se procesi do të zgjasë disa ditë deri kur mbi Vatikan të ngrihet tymi i bardhë që sinjalizon se është marrë vendimi përfundimtar.

Zyrtarët kanë marrë masa të papara sigurie për të mundësuar një proces sekret. Specialistët kanë kontrolluar si dhomën ku do të zhvillohen diskutimet në Kapelën Sistine ashtu edhe mjediset ku do të qëndrojnë kardinalët gjatë këtyre ditëve, për t’u siguruar që nuk janë vendosur mjete përgjimi. Të shtunën Vatikani përfundoi periudhën e zisë zyrtare për Papa Gjon Palin e Dytë.

XS
SM
MD
LG