Lidhje

Intervistë me Kryetarin e Partisë Ora, Veton Surroi

  • Arben Xhixho

Aktet e fundit të dhunës në Kosovë ndodhin ndersa komuniteti ndërkombëtar po bëhet gati të rishikojë gjendjen për të përcaktuar në se duhen hapur apo jo biseidmet për statusin përfundimtar. Por ndërsa një prej standarteve kryesore që duhet të plotësojë Kosova është siguria e pakicave, vecanërisht e asaj serbe, javët e fundit, dhuna është drejtuar ndaj politikanëve shqiptarë: një përpjekje për atentat ndaj Presidentit Rugova, vrasja e vëllait të ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe rasti i fundit, shpërthimi në zyrat e Partisë “Ora”.

Intervistë e Zërit të Amerikës me Kryetarin e Partisë “Ora”, Veton Surroi:

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, fillimisht a është mesuar ndonjë gjë e re lidhur me shpërthimin në zyrat e partisë tuaj?


Veton Surroi: Nuk kemi asnjë hollësi veç vizitës që bëmë në zyra, ku pamë se dëmtimi ishte shumë i madh, për fat të mirë jo në njerëz, por në objekt.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, politikanët shqiptarë në Kosovë kanë këmbëngulur vazhdimisht se jane të përgatitur për pavaresinë dhe gjithë përgjegjësitë që vijnë me të. Por dhuna e kohëve të fundit duket se flet për të kundërtën. Cili është mendimi juaj?

Veton Surroi: Dhuna lidhet me dy aspekte. Me atë të sigurisë dhe të institucioneve të sigurisë, për të cilin mund të them se nuk kemi shumë përparim dhe seriozitet, meqënëse refereni që po dëgjojmë prej 6 vjetësh është se “hetime po zhvillohen”. Për fat të keq, nuk kemi zbulime, por vetëm hetime. Çështja e dytë është çështja politike, ajo e marrëdhënieve politike në vend dhe këtu më duhet të them se ka ngathtësi të madhe. Ne kemi bllokim të një procesi demokratik, kemi një shkallëzim në marrëdhëniet politike dhe kjo reflektohet edhe në sferën e sigurisë.


Zëri i Amerikës: Zëvendës shefi i UNMIK-ut, diplomati amerikan Larry Rossin, i cili ishte sot në zyrat e dëmtuara të partisë tuaj, theksoi ndër të tjera dëmin e madh që mund t’i bëhet Kosovës nga mentaliteti i dhunës. Edhe vëzhgues të tjerë më parë janë shprehur se në Kosovë ekziston rreziku i zgjidhjes se problemeve me dhunë. A mendoni se klasa politike shqiptare do të jetë e aftë ta kapercejë këtë problem?


Veton Surroi: Unë shpresoj se do të ndodhë një gjë e tillë, por dhuna nuk është vetëm akti. Këto gjera mund të bëhen edhe nga njerëz që paguhen me para. Dhuna rrjedh nga mentaliteti politik, nga qëndrimi pro demokracisë ose i kundërt me demokracinë. Këtu kemi të bëjmë me bllokim të disa aspekteve politike në Kosovë, të cilat janë serioze dhe që ër fat të keq po krijojnë një përshkallëzim të këtillë politik. Siç e dini, Partia Demokratike ka nxjerrë në pah disa akuza të cilat janë serioze, drejtuar ndaj disa anëtarëve të qeverisë, por ende nuk kemi patur një dialog politik lidhur me këtë, se ajo nuk është vetëm çështje e sigurisë. Partia “Ora” ka vënë në dukje disa herë shkeljet proceduriale në parlament, të cilat cënojnë të drejtën e fjalës së lirë, por edhe këtu për fat të keq është vënë re një shpërfillje për arritjen e një marrëveshjeje, a të një konsensusi. Qeveria sillet me arrogancë, në ndjekje të qëllimeve të veta, pa ndonjë rrugë të qartë se nga duhet të shkojë dhe me një moto se po i përmbush standartet. Pra funksionimi i Kosovës si shtet demokratik, më duhet të them se, po shkon në vija të kundërta jo në drejtim pozitiv dhe krejt kjo po ndihet në aspektin ekonomik. Kosova është i vetmi vend në Evropës sot, i cili edhe për vitin e ardhshëm parashikon rënie buxhetore. Ky është një fenomen i cili nuk ndodh në asnjë vend tjetër, ndoshta me përjashtim të Bjellorusisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, disa herë ju u shprehët se Kosova sot po përballet me një “bllokim të procesit politik”. A mund ta sqaroni këtë koncept duke patur parasysh që në kohën që ishte kryeministër zoti Haradinaj, qeverisja e tij është vlerësuar lart pothuajse nga të gjithë. Çfarë nënkuptoni me bllokim politik, e keni fjalën për proceset që kanë ndodhur pas largimit të zotit Haradinaj?


Veton Surroi: Disa procese kanë ndodhur edhe gjatë qëndrimit të tij, mirëpo më duhet të them, ashtu siç kam deklaruar disa herë, se zoti Haradinaj me dinamikën e tij imponoi bindjen për një punë efikase të qeverisë. Ajo që u pa pas largimit të zotit Haradinaj, është se dinamika mbahej pikërisht falë zotit Haradinaj personalisht, e jo qeverisë në tërësi. Ne ende nuk e dimë se nga shkon kjo qeveri. E vetmja gjë që dimë është, se ata premtojnë përmbushje të standarteve, pa përfillur fare as ligj e as kushtetutë dhe shkojnë në një drejtim të mungesës së debatit real në shoqërinë kosovare. Parlamenti i Kosovës është i vetmi parlament në Evropë sot, i cili mblidhet një herë në muaj dhe kjo për shkak të kryetarit të parlamentit, që është një autokraci e llojit të vet.


Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, cila do të ishte pra zgjidhja politike që ofroni ju. A do të ishte zgjidhja e vetme, rrëzimi i qeverisë së tanishme dhe krijimi i një koalicioni gjithë-përfshirës?


Veton Surroi: Unë nuk flas për zgjidhje, unë flas për procedura. Procedura në këtë rast duhet të jetë, që në se ekziston bllokimi politik, dhe në këtë rast kemi bllokim politik, për shkak të akuzave serioze të Partisë Demokratike të Kosovës, për përfshirje të krimit të organizuar në jetën politike dhe anasjelltas, përdorimit të krimit për qëllime politike, dhe në raste të tilla, në raste të shkeljes së procedurave në parlament, në rastet kur duhet debatuar për çështje thelbësore siç është decentralizimi i Kosovës, atëhere duhet organizuar tryeza e partive në pushtet dhe atyre të opozitës, në mënyrë që të sqarohen, që të krijohen bazat themelore, të një marrëveshjeje, të një konsensusi brenda shoqërisë. Ne nuk mund të hyjmë në biseda për statusin e Kosovës, e ato do të jenë shumë më të ndërlikuara, pasi zgjidhja nuk do të jetë e thjeshtë, zgjidhja do të jetë forma e kushtëzimit të pavarësisë, e jo sovraniteti i plotë i Kosovës. Në kushte të tilla, duhet përdorur e tërë energjia shoqërore, e tërë krijimtaria e shoqërisë, në mënyrë që të gjendjen zgjidhjet e përshtatshme për zhvillimin përgjithshëm të Kosovës dhe për një status, i cili do t’i garantonte Kosovës një shpejtësi integrimi brenda integrimeve euro-atlantike.


Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, sa e rrezikshme është bërë sot jeta në Kosovë për politikanët? A e ndjeni ju veten të rrezikuar fizikisht?


Veton Surroi: E qartë është se është bërë e rrezikshme. E qartë është se pas shumë vjetësh duhet të rikthehemi..., unë kam jetuar pothuajse 20 vjet nën kërcënime të përhershme. Janë bërë kërcënime gjatë kohës së Millosheviçit e pas Millosheviçit, por kjo është hera e parë, që po realizohet kërcënimi. Ekziston një droje e madhe brenda strukturave të sigurisë. Kam biseduar me policinë e UNMIK-ut dhe me policinë tonë brenda këtyre 24 orëve dhe mes tyre egziston brenga reale për një përshkallëzim të mundshëm të dhunës në Kosovë. //az//

XS
SM
MD
LG