Lidhje

Përpjekje për një dokument të njëjtësuar mbi historinë e Ballkanit


Politikanët nacionalistë dhe raportet e ideologjizuara të medias ishin ndër faktorët që përshpejtuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, theksuan pjesëmarrësit në diskutimin e organizuar dje nga Instituti amerikan i Paqes Në Uashington. Ky institut ka marrë përsipër hartimin e një dokumenti ku të pasqyrohen me paanshmëri zhvillimet.

Grupi i studiuesve dhe historianëve nga Ballkani, si dhe një akademikëve amerikanë dhe britanikë që janë angazhuar në përgatitjen e këtij materiali historik të çliruar nga nuancat nacionaliste, thekson se kontradiktat ndërmjet grupeve të ndryshme etnike shprehen në disa aspekte. Në marrëdhënieve ndëretnike, pra në vështirësitë që këto grupe etnike hasin për të bashkëjetuar në paqe në një shoqëri të përbashkët, dhe së dyti në çështjen e statusit të njësive adminsitrative, territoriale, ndaj të cilave kanë pretendim dy apo më shumë grupe etnike.

Problemet e Ballkanit, thotë historiani i Universitetit të Beogradit, Dushan Janjiç, janë pa zgjidhje, por ai shton se mund të gjenden rrugëdalje nga situata, kompromise në mënyrë që këto probleme të mos marrin përmasat e konflikteve të armatosura. Ai përqëndrohet tek rasti i Kosovës: "Millosheviçi e shfrytëzoi Kosovën si instrument për të forcuar pushtetin e tij. Sipas rezultateve të studimeve të mia, del se Kosova s’ishte gjë tjetër për të veçse një justifikim për të forcuar pozitat e tij," thotë historiani.

Në realitetin e krijuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë, çështja e Kosovës është ndër më të vështirat, thotë analisti i Institutit të Paqes, Daniel Serwer. Megjithëse Kosova përballet me problemet të ngjashme me republikat ish-jugosllave, si respektimin e të drejtave të pakicave, kufij të diskutueshëm, marrëdhëniet me fqinjët, kur vjen fjala tek Kosova është shumë e vështirë të flitet për prirje afat-gjata historike, pasi statusi i saj është ende i pazgjidhur.

Janjiç thekson se historia duhet të shërbejë për të mësuar nga e kaluara dhe për të shmangur gabimet e mëparshme, por ai shprehet me pesimizëm për protektoratin ndërkombëtar në Kosovë: "Komuniteti ndërkombëtar në Kosovë po përsërit metodat e Millosheviçit për të administruar krizat, duke lejuar ekzistencën e realiteteve paralele, duke zbatuar një formë të ngjashme me një aparteid dhe duke manipuluar tensionet etnike," thotë zoti Janjiç.

Analistët theksojnë se e kaluara nuk lë vend për optimizëm të madh, por shtojnë se me zhvillimin gradual të institucioneve demokratike në këto vende, ata do të përfshihen në një të ardhme të afërt në Bashkimin Evropian. Pas kësaj, thonë ata, kufijtë shtetërorë nuk do të kenë më të njëjtën domethënie si tani dhe kalimi i një pjese të pushtetit në duart e Brukselit do të fashisë tensionet etnike.

XS
SM
MD
LG