Lidhje

Ripajtimi etnik në shoqëritë e dala nga konflikti


Ripajtimi në shoqëritë e dala nga konflikti është më i realizueshëm kur grupet etnike përqëndrohen në të ardhmen se sa të bëhen skllevër të së kaluarës. Ky ishte një ndër përfundimet e një grupi analistësh dhe historianësh, ekspertë për ish-Jugosllavinë, që morën pjesë në një diskutim të organizuar dje nga Zëri i Amerikës.

Charles Ingrao, profesor i historisë në Universitetin Perdue thotë se ndryshimet në interpretimin e historisë ende bëhen pengesë për komunikimin ndërmjet popujve të Ballkanit. Ai thotë se politikanët duhet të tregohen të përgjegjshëm, të tregojnë veti udhëheqëse dhe guxim, edhe nëse ndeshen me rrezikun e rënies së popullaritetit: ingrao

"Thuajse pa asnjë përjashtim, udhëheqësit në këto vende thonë se mbështesin ripajtimin etnik. Por duhet pasur parasysh se ato që njerëzit preferojnë dhe ato akte që kanë guximin të ndërmarrin janë dy gjëra krejt të ndryshme," thotë zoti Ingrao.

Ambasadori Donald Hays thotë se shoqëritë e dala nga konflikti kanë treguar se procesi i ripajtimit do kohë. Politikanët, udhëheqësit e biznesit, klerikët, dhe media duhet ta kenë të qart roli e rëndësishëm që kanë në formimin e opinionit publik. Angazhimi i gjithë këtyre elementëve është një detyrë e vështirë:

"Duhet të krijojmë konceptin e një vendi ku e mira e përgjithshme është në interes të të gjithëve, dhe jo të theksojmë nacionalitetet, elementët etnikë dhe fetarë. Zoti Hays thotë se ambicjet e vendeve të Ballkanit perëndimor për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian do të shërbejë si një nxitës për ripajtim dhe demokratizimin e këtyre shoqërive," thotë zoti Hays.

Profesori i Universitetit të Beogradit Dusan Janjiç u shpeh optimist se politikanët në Ballkan do të përqëndrohen në të ardhmen e popujve të tyre, dhe jo në të kaluarën: "Shpresoj se këtë radhë ata do të zgjedhin një program pune ku t’i kushtohet vëmendje njerëzve të thjeshtë. Ne kemi qenë të fiksuar në të kaluarën. Është e vërtetë që kemi shumë për të mësuar nga e kaluara, por kemi shumë për të bërë drejt së ardhmes," thotë profesori Janjiç.

Anëtari i Parlamentit të Kosovës, Ylber Hysa, theksoi se e ardhmja e rajonit është integrimi në institucionet evropiane. Zoti Hysa theksoi rolin kritik të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, duke thënë se Amerika duhet të ruajë angazhimin në rajon: "Besojmë se, në mënyrë që të sigurojmë përfshirje në Bashkimin Evropian, Uashingtoni duhet të jetë i angazhuar në këtë proces. E kemi parë rëndësinë e këtij angazhimi gjatë 15 vjetëve të fundit, kurdo kur kishte zhvillime vendimtare". Zoti Hysa tha se Kosova dhe Serbia do të shkojnë drejt përfshirjes në Evropë me të njëjtin tren, por me vagonë të ndryshëm.

Profesori Ingrao shtoi se, në mënyrë që të ndodhë kjo, qeveria e Kosovës duhet të njohë të drejtat e pakicave dhe të garantojë sigurinë e tyre. Në çdo demokraci, shumica duhet të përmbushë detyrimin për të mbrojtur pakicat,” tha profesori Ingrao.

"Derikur të gjendet një zgjidhje që merr në konsideratë të drejtat e serbëve që u shpërngulën nga Kosova, do të ketë një bllokim të procesit dhe ndoshta një bllokim i tillë është i nevojshëm. Udhëheqësit politikë kanë mundësinë t’i përmbushin këto të drejta ose duke krijuar kushte sigurie që mundësojnë kthimin e serbëve të shpërngulur, ose, nëse këta udhëheqës nuk kanë guximin politik për këtë proces, duhet gjetur një zgjidhje tjetër, ndoshta përmes kompensimit financiar të këtyre personave. Drejtësia kërkon përmbushjen e të drejtave," thotë profesori. Vetëm në këtë mënyrë, përfundoi ai, mund të arrihet paqja dhe begatia e vërtetë në Ballkan.

XS
SM
MD
LG