Lidhje

Nismë e re e presidentit Moisiu - Kodi i sjelljes


Në Shqipëri drejtuesit e 15 forcave politike që përfaqësohen në parlament, u angazhuan sot të njohin rezultatin e zgjedhjeve të 3 korrikut. Ata nënshkruan në presidencë Kodin e sjelljes, një nismë e ndërmarrë nga presidenti Alfred Moisiu me anë të së cilës partitë shqiptare premtojnë ti përmbahen ligjeve, të garantojnë një fushatë të qetë e të zbatojnë transparencë për fondet financiare. Kreu i shtetit deklaroi se shqiptarët duhet të ndahen përfundimisht nga zgjedhjet problematike dhe të kontestuara.

Historia e re politike e Shqipërisë ka njohur deri më tani zgjedhje të cilat janë shoqëruar me tensione, probleme dhe si përfundim me mosnjohje të rezultatit.

Sot, megjithëse të paktën drejtuesit e dy partive kryesore e kishin deklaruar edhe më parë, kryetarët e 15 forcave politike firmosën edhe në letër se do të njohin rezultatin e zgjedhjeve dhe legjitimitetin e institucioneve të dala prej tyre. Ata u bashkuan falë nismës së presidentit Alfred Moisiu duke nënshkruar një Kod të sjelljes.

Kreu i shtetit deklaroi se zgjedhjet e 3 korrikut duhet të dëshmojnë vullnet dhe përgjegjësi maksimale, qytetare dhe politike, në mënyrë që vendit ti jepen shanse akoma më të mëdha për reforma të thella demokratike, përparim të vrullshëm ekonomik dhe integrim euro-atlantik: "Sot, shqiptarët duhet të ndahen përfundimisht, nga zgjedhjet politike problematike dhe të kontenstuara, për të shënuar një hap të ri cilësor në rrugën e madhe të demokracisë". Nëpërmjet Kodit të sjelljes partitë shqiptare janë angazhuar që ti përmbahen Kushtetutës, Kodit Elektoral dhe ligjeve si dhe të garantojnë një fushatë të qetë demokratike dhe civile.

Partitë e koalicionit në pushtet premtojnë se nuk do të përdorin mjetet dhe infrastrukturën shtetërore për fushatën e tyre. Po ashtu partitë politike janë angazhuar të mos kërcënojnë apo korruptojnë komisionerët e qendrave të votimit dhe zonave elektorale. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse vërtetë forcat politike do t’i përmbahen asja që kanë nënshkruar sot.

Presidenti Moisiu u shpreh se Kodi i Sjelljes nuk është një ligj por një kontratë morale që synon të vërë interesat e vendit dhe të zgjedhjeve të lira e demokratike përpara cdo interesi tjetër: "Të gjithë nuk duhet të pranojmë apo të pajtohemi: me abuzimet me ligjin dhe me postet publike, me përfshirjen në fushatë të individëve me burime të dyshimta financimi, me pengesa të ndryshme burokratike që mund të dalin gjatë zbatimit të Kodit Zgjedhor. Me këtë Kod, ne jemi sot këtu për të dhënë një mesazh mirëkuptimi dhe shprese për qytetarët dhe shoqërinë, se jemi të aftë të ngrihemi mbi cdo gjë që mund të bëhet pengesë për ecjen e Shqipërisë përpara"

Po sot organizata jo qeveritare “Mjaft”, njoftoi se ka arritur një marrëveshje me shoqërinë Gallup për kryerjen për herë të parë të sondazheve paralektorale. Të dhënat e para do të jepen në mesin e muajit maj, ndërsa një tjetër sondazh i dytë do të publikohet në mesin e muajit qershor, gati dy javë përpara datës së votimit. Ende nuk është marrë asnjë vendim përsa i përket “exit-poll”, sondazheve që kryehen gjatë ditës së zgjedhjeve mbi mënyrën e votimit.

XS
SM
MD
LG